Porto Palermo, mrekullia e Zotit dhe Ali Pashait
Shënime udhëtimi nga Luan Laze-
Nëse kam më shumë se dy ditë pushimi, mendja, zemra, dëshira, nostalgjia dhe këmbët, ose më mirë gomat e makinës, menjëherë më ndalin në Qeparo dhe Porto Palermo. E dua dhe e adhuroj këtë vend. Kam miq dhe mikpritës të shumtë. Por para se të ngjitem në Qeparoin e sipërm, do të ndalem në mrekullinë e Porto Palermo. Mesa duket, edhe Ali Pashai ka qenë me shije që vendosi ta ngrejë pikërisht aty kalanë. Askush nuk thotë dot nëse vendi ku u ngrit ka qenë ishull apo ashtu siç është sot, i lidhur me një rrip toke. Gjithsesi, ciceroni i famshëm i kalasë së famshme, Klarku, ka bindjen se Pashai vinte me anije në shtëpinë e tij të gurtë dhe të bukur. Çdo turist, para ose pas vizitës në kala, do të ndalet patjetër tek lokali që mban emrin Porto Palermo. Atje në kala, Klarku u tregon historinë dhe dashurinë e Ali Pashait për Vasiliqinë e tij, ndërsa tek lokali i pret kuzhina e mrekullueshme shqiptare, qetësia, mikpritja dhe çmimet tepër të pranueshme. Por edhe mençuri e origjinalitet që ka fatin ta ketë vetëm ky lokal.
Baballarët e vidhnin, fëmijët e frekuentojnë
Rruga që ndan ishullin me malin ka në krah një lokal me emrin Porto Palermo. Është i vetmi në atë zonë i rrethuar me gjelbërim e lule, parkim të bollshëm dhe cicërima zogjsh. Ka një intimitet të veçantë që vështirë ta shprehësh me fjalë. Ndoshta sepse pronari i ndërtesës është një qeparotas, ndërsa ai i lokalit si biznes, një beratas.
Ka histori të veçantë. Qeparotasi i mençur Ksenofon Koçi ka patur në vitin 1937 lokalin e tij aty, i cili u shërbente udhëtarëve. Më vonë, ushtarët italianë që u stacionuan në kala, u bënë klientë në këtë bar të vogël buzë rruge. Mirëpo, italianët ditën qenë klientë të saj ndërsa natën e vidhnin. Kështu vazhdoi deri në vitin 1945 kur u sekuestrua nga regjimi komunist. Po jo vetëm kjo. E gjithë zona, në të dalë të Himarës e deri në atë vend që njihet si Panormë, pranë Qeparoit, u bllokua duke u shpallur zonë ushtarake. Që nga ai vit, çdo peizazh, histori, traditë, kulturë e habitat, së bashku me kalanë e mrekullueshme, u ngurtësua dhe u ndalua që të shikohej. Nuk dënoheshin vetëm individë me burgosje, por edhe zona të tëra. Porto Palermo ishte një nga të burgosurat e natyrës shqiptare. Ndërsa tani në liri, ajo ngjan me një sfungjer të pangopur me ujë që thith çdo ditë mijëra pushues nga çdo cep i globit. Sepse aty i gjen të gjitha.
Më vonë, fëmijët e pronarit qeparotas, e rivunë në punë lokalin. Por tani krejt ndryshe megjithëse ndërtesa e vjetër është aty, dhoma hoteli. Që nga viti 2000 ajo ka pritur dhe u ka shërbyer mijëra turistëve dhe udhëtarëve. Fatmir Nasufi e ka marrë me qera dhe punon me familjen e tij. Së bashku me gruan, Albanën, nga ora 6 e mëngjesit e deri në 24 të mbrëmjes, janë në këmbë. Por jo vetëm ata. Edhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Aty shërbejnë gjithçka. Kuzhinë të mrekullueshme dhe respekt të dukshëm. Por ajo që të bën përshtypje të veçantë është Ardian Abazi, kamarieri i palodhur nga Tirana që nuk ulet asnjëherë. Ai zotëron të gjitha gjuhët e klientëve që vijnë aty, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rusisht, greqisht. Kamarier i jashtëzakonshëm. Dikush nga miqtë e mi aty, më sugjeroi të mos shkruaj për të, se ka rrezik ta blejë ndonjë pronar tjetër. Edhe ky njeri me aftësi të rralla komunikuese është pjesë e atij ambienti që rrethon Porto Palermon. Duket se ky vend tërheq gjithmonë vetëm mençurinë dhe bukurinë. Atje ku Zoti është treguar bujar dhe Ali Pashai i mençur, pikërisht aty gjen në forma të ndryshme këto dy cilësi që i lakmojnë të gjithë. Në lokalin e Porto Palermos kanë ndaluar pothuajse të gjitha figurat politike e artistike nga vendi. Ai që viziton kalanë do të ndalet doemos në lokalin e Fatmir Nasufit. Dikur ushtarët italianë natën e vidhnin barin e thjeshtë të Ksenofon Koçit. Tani bijtë apo nipërit e tyre janë turistët më të shumtë që vizitojnë këtë zonë dhe frekuentues të ketij lokali. Në 1940 një italian i drejtohej Ksenofonit: Ciao Kseno! Ndërsa në vitin 2012 djali ose nipi i atij italiani i drejtohet djalit të Ksenofonit: Ciao Malo! Të udhëtosh drejt atij vendi kur dikur prindërit e tu kanë qenë pushtues dhe hajdutë, është turizëm shumë interesant dhe i veçantë!
Jeton si Diogjeni dhe mendon si Sokrati
Nëse të qëllon të ndalesh aty, patjetër do të tërheqë vëmendjen një 56 vjeçar me mjekër gati një pëllëmbë, kapele e me veshje tepër të thjeshtë. Ai quhet Mihal Koçi, ose shkurt, Malo. Djali i tretë i Ksenofon Koçit, pronarit të hershëm të lokalit, ai jeton diku aty rrotull si një Robinson Kruzo. Mes librave, detit, aromës së sherebelës, malit dhe kalasë, ky njeri i çuditshëm dhe interesant është ndoshta i vetmi lexues që i ka mbetur besnik letërsisë. Vallë, jetën e tij duhet të bëjmë të gjithë për të dashur librat? Kaq i frikshëm është bërë sot libri? Apo ky është çmimi që duhet të paguajë një njeri i dashuruar pas librit? Jo! Malo është mishërimi i asaj se sa i bukur bëhet shpirtërisht një njeri kur dashurohet me librin. Ai njeri me mjekër, me pantallona dhe bluze të thjeshtë, me cigare në njërën dorë dhe gotën e rakisë në tjetrën, është biblioteka më e pasur e Ballkanit që jeton buzë valëve të Bregut. Nuk është martuar asnjëherë dhe çdo pyetje pse nuk e ka bërë një gjë të tillë i përgjigjet se, koha e dasmës do ti harxhonte nga koha e leximit. Martesa për të është antikohë për të lexuar. Tani në verë, fle diku aty pas lokalit në mal, me një çadër të vogël. Natën vonë atje ndriçon një dritë. Çfarë bën Malo? Lexon, lexon dhe vetëm lexon. Përfytyroni një njeri që është trashëgimtar i atij lokali të bukur me emrin Porto Palermo, natën në një çadër personale duke lexuar librat, miqtë e tij më të dashur. Cila fe do e bënte anëtar këtë krijesë që nuk pranon në dorën e tij orë apo të mbajë celular, makinë e pasuri të tjera materiale? Ai jeton si Diogjeni dhe mendon si Sokrati. Janë dijetarët e tij të preferuar. Askush në jetë nuk ka takuar ndonjë njeri që të na interpretojë, e theksoj, interpretojë të plotë poemat e shkrimtarëve më të mëdhenj pa harruar asnjë varg. Gjeni momentin e duhur dhe vëreni përpara tij mikrofonin e kamerën, dhe do të mrekulloheni me kujtesën e rrallë, interpretimin e fuqishëm dhe emocional të një njeriu që nuk është poet, nuk është aktor. Një gotë raki para dhe do të keni Malon që dëshironi. Ai pi për të qenë ky që sapo iu përshkrova.
Malo është kthyer në një lloj magneti apo guidë e gjallë për turistët e huaj. Humori, kultura, edukata gati aristokrate, njohuritë mbi zonën, janë veçoritë e kësaj guide me emër njeriu. E kanë bërë mik qindra turistë. Sepse i shoqëron falas në Qeparo apo në të gjithë zonën përreth. Kur një gazetar i një televizioni italian kërkoi ti merrte një intervistë dhe e pyeti se çfarë ndjen Malo për këtë vend, ai iu përgjigj po me pyetje:
-Zotëri, sa kohë u bëre këtyre anëve?
-15 ditë, -iu përgjigj italiani që e intervistonte.
-Kaq kohë, nuk të folën mali, deti, aroma, kalaja, pulëbardhat, njerëzit?
-Ke