E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masat antikrizë që duhet të marrë qeveria

“The Economist” analizon situatën dhe kurthet që ekzistojnë në tregjet botërore. A duhet të tregohemi optimistë për kapërcimin e problemeve të tanishme

“Rrezet janë përhapur, por pikat e dritës janë të pagabueshme”, - shkruante “The Economist”. Çmimet e aksioneve janë rritur ndjeshëm. Edhe pse kanë rënë në fillim të javës së kaluar, dy të tretat e 42 tregjeve të aksioneve që janë vëzhguar janë rritur në gjashtë javët e fundit me më shumë se 20%. Tregues të ndryshëm ekonomikë, nga vende të ndryshme të botës, janë përmirësuar. Ekonomia kineze po e merr veten. Rënia në prodhimin global duket se po lehtësohet. Tregjet e pasurive në Amerikë dhe Britani po tregojnë shenja jete teksa interesat e kredive po bien dhe shtëpitë po bëhen më të përballueshme. Besimi po rritet. Një indeks i besimit të investitorëve në Gjermani është tashmë pozitiv për herë të parë në pothuajse dy vjet.
E gjitha kjo është e mirëpritur, të paktën sepse rënia është bërë shumë më e keqe për shkak të panikut dhe dëshpërimit. Kur sistemi financiar ishte në prag të rënies, në shtator, investitorët iu shmangën të gjitha investimeve, përveç aktiveve tepër të sigurta; konsumatorët ndaluan së shpenzuari; firmat u mbyllën. Kjo rënie mund të ndiqet nga një cikël virtuoz, ku motorët e financës ndizen përsëri; konsumatorët hapin portofolat dhe firmat ambicioze fillojnë të grumbullojnë cash për të vazhduar me fitimet.
Por, sido që situata është e mirëpritur, optimizmi përmban dy kurthe; një i dukshëm dhe tjetri më delikat. Kurthi i dukshëm është që besimi të rezultojë i gabuar, — që grimcat e shpresës të keqinterpretohen si fillimi i një ringritjeje të shpejtë, kur e gjitha ajo që tregohet është realisht se norma e rënies po ngadalësohet. Kurthi i fshehur, veçanërisht për politikanët, është se besimi dhe lajmet më të mira krijojnë një vetëkënaqësi shkatërruese.
Optimizmi është një gjë, por pretendimi se bota ekonomike po i kthehet normalitetit, mund të dëmtojë ringritjen dhe të bllokojë politikat që po ndërmerren për të ndalur rënien e mëtejshme.

Treguesi e ndritshëm

Fillojmë me këto sinjale shprese. Është e lehtë të lexosh përmes rritjes së çmimeve të aksioneve. Tregjet e aksioneve, zakonisht, përmirësohen para se ekonomia të përmirësohet, sepse investitorët shikojnë për mundësinë për më shumë fitime përpara se statistikat të dokumentojnë një kthesë. Por, shumë nga këto rritje mund të rezultojnë një flluskë. Midis viteve 1929 dhe 1932, Indeksi Mesatar Industrial i Dou Xhons (Dow Jones) u rrit me më shumë se 20% për katër herë, për të rënë përsëri në nivele edhe me të ulëta. Kriza e sotme ka parë pesë ngritje të ndara, në të cilat çmimet e aksioneve u rritën me më shumë se 10%, për të rënë përsëri më pas.
Statistikat ekonomike janë të vështira për t’u interpretuar gjithashtu. Në gjashtë muajt e fundit janë parë disa rënie, secila me një trajektore të ndryshme. Rënia në prodhim është pjesërisht si rezultat i një rregullimi të madh global të inventarëve. Me rritjen e sasisë së mallrave të pashitura dhe problemet për sigurimin e financimeve, firmat nëpër botë reduktuan prodhimin me ritme edhe më të shpejta sesa rënia e kërkesës. Pasi firmat të kenë mbaruar stoqet e tyre, ato do të fillojnë të prodhojnë sërish dhe recesioni i prodhimit do ta kalojë më të keqen.
Edhe pse ky moment duket sikur ka ardhur, dy rënie të tjera ka të ngjarë ta helmojnë ekonominë për një kohë të gjatë. Më e rëndësishmja është kriza bankare dhe rritja e borxhit në ekonomitë e flluskave; veçanërisht në Amerikë dhe Britani. Kërkesa ka rënë teksa shtrëngimi i kredisë dhe rënia e çmimeve të aktiveve e kanë ekspozuar huamarrjen e tepërt të konsumatorëve dhe i kanë trembur ata duke i bërë të orientohen më shumë drejt kursimit. Historia sugjeron se recesione të këtyre bilanceve janë të gjata dhe rimëkëmbja që do të vijë pas tyre është e dobët.

Rënia e dytë është në botën në zhvillim, ku shumë vende janë goditur nga rënia e beftë e flukseve private të huaja të kapitalit. Vendet në zhvillim, kapitali i importuar i të cilave përbënte 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në 2007-n, po përballen tani me një situatë ku investitorët e kujdesshëm i mbajnë paratë e tyre në shtëpi. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), bankat, firmat dhe qeveritë në botën në zhvillim do të duhet të paguajnë 1.8 trilionë dollarë borxhe këtë vit, pjesa më e madhe e të cilit në Europën Qendore dhe Lindore. Edhe në rast se tregjet në zhvillim i shpëtojnë një krizë shpërthyese, besimi i investitorëve ka të ngjarë të ringrihet vetëm në disa vjet.

Këto kriza e çojnë ekonominë botërore në një rënie, që në disa matje ka qenë më e thellë se në atë të Depresionit të Madh. Raporti i fundit i situatës ekonomike botërore i FMN-së pret që ekonomia globale të tkurret me 1.3% këtë vit; rënia e parë në 60 vjet. Por, kolapsi është ndeshur me përgjigjen e politikave më ambicioze në histori. Bankat Qendrore kanë hedhur me triliona dollarë likuiditet; kanë lehtësuar politikën monetare. Madje, edhe me norma interesi bazë që i afroheshin nivelit zero. Qeveritë janë zotuar për të mbrojtur bankat, duke u angazhuar për triliona dollarë në këtë proces. Shumë vende në zhvillim dhe të zhvilluara kanë ndërmarrë nxitës fiskalë. Deficiti i buxhetit i botës së pasur do të arrijë mesatarisht në pothuajse 9% të PBB-së, gjashtë herë më i lartë se përpara se të godiste kriza.

Orientimi drejt kërkesës së re

Marrim vendin ku shumë njerëz kanë varur shpresat, Amerikën. Rregullimi në tregun e shtëpive filloi më shpejt se kudo. Çmimet arritën kulmin tre vjet më parë dhe tani kanë rënë 30%. Prodhimi po bie me një normë vjetore me më shumë se 20% gjatë tre muajve të fundit. Dhe masat e ndërmarra nga qeveria kanë qenë ndër më të mëdhatë.
Teksa rregullimi i inventarëve po mbaron dhe nxitësit po japin efekt, është e sigurt se rënia e Amerikës do të lehtësohet. Në kujdesin e qeverisë, ekonomia dhe mund të fillojë të rritet në një kohë të shkurtër. Por është e vështirë të shikosh që elementet e ringritjes të jenë aq të forta sa të ndalojnë rritjen e papunësisë. Bankat amerikane janë të mbushura me kapital publik, por bilancet e tyre janë plot me aktive toksike. Shpenzimet konsumatore dhe investimet e firmave do të pengohen nga nevoja për të paguar borxhin dhe për të kursyer. Papunësia më e lartë dhe rritja e falimentimeve mund të shkaktojë lehtësisht një rënie të re.
Në teori situata mund të duket më e mirë për Gjermaninë dhe Japoninë. Të dyja këto kanë pasur një rënie më të shpejtë të prodhimit sesa vendet e tjera të pasura, për shkak të kolapsit në tregtinë dhe prodhimin ndërkombëtar, por, asnjë nga këto vende nuk ka nivelin e lartë të borxheve si në Angli dhe Amerikë. Pasi investitorët të jenë përshtatur, rimëkëmbja duhet të fillojë me shpejtësi. Megjithatë, praktikisht kjo duket e pamundur, veçanërisht në Gjermani. Teksa rënia e prodhimit e ka çuar normën e papunësisë në Gjermani në nivele dyshifrore, është e vështirë të mendosh se konsumatorët do të fillojnë të shpenzojnë pa fre. Dhe as qeveria, me politikat e saj, nuk ka treguar ndonjë oreks të madh për të nxitur kërkesën.

Nuk ka shumë arsye për t’u gëzuar

Të gjitha arsyet e përmendura më lart bëjnë që optimizmi të bjerë shpejt. Më e keqja ka kaluar vetëm në sensin e vakët se ritmi i rënies globale ka arritur kulmin e tij. Në sajë të transfuzioneve masive fiskale dhe monetare, — të paqëndrueshme, - prodhimi ka të ngjarë të stabilizohet. Pavarësisht shkallës së rënies, nuk shihet ndonjë shkallë konvencionale e rimëkëmbjes. Rritja, kur të vijë, do të jetë shumë e dobët për të ndaluar rritjen e papunësisë dhe për të nxitur rritjen e kapaciteteve. Dhe për shumë vjet ekonomitë e botës do të varen nga qeveritë e tyre.

Përgatituni për dekadën e ardhshme

Mirë se vini në një epokë ku pritshmëritë janë të ulëta dhe rreziqet të vazhdueshme; një botë ku politikëbërësit duhet të manovrojnë midis kërcënimit të deflacionit teksa përballen me frikën e investitorëve (të arsyeshme) se rritja e borxhit publik dhe lehtësimi masiv i politikave monetare ka të ngjarë të çojë në një nivel të lartë inflacioni; një botë ku huamarrja qeveritare arrin në nivele që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore, ku kontrolli i kapitalit siguron që kursimet të qëndrojnë në shtëpi.
Si të merremi me këto rreziqe? Sigurisht, jo duke u kapur pas lajmeve më të mira. Kjo rrezikon që të ndërmerren më pak veprime pikërisht tani. As qeveritë nuk duhet të tërhiqen përnjëherë ndaj nxitësve fiskale. Dobësia e tejzgjatur ekonomike shkakton më shumë dëme për financat publike, sesa aktivizimi i përkohshëm fiskal.
Në të njëjtën kohë, politikëbërësit duhet t’i japin hapësirë vetes se tyre të ndryshojnë kursin në të ardhmen. Bankat qendrore duhet të hartojnë rregulla, që do të mundësojnë daljen e tyre nga format ekzotike të lehtësimit të politikave monetare.
Të gjitha qeveritë, veçanërisht ato me financa publike të gërryera, duhet të mendojnë se si të ulin normat e borxhit në afatin e mesëm, — në mënyrë të tillë që të mos goditin rritjen e kërkesës private. Më shumë sesa të rrisin taksat, ato duhet të mendojnë rreth rritjes së moshës së pensionit, frenimin e kostove shëndetësore dhe zgjerimin e bazës së taksapaguesve.

Marrë nga numri i fundit i revistës “The Economist”
Titulli është redaksional

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›