Porto Romano, ku sekserët e Fazlliç blenë tokën e helmuar
PORTO ROMANO- Një erë e fortë squfuri të zë frymën, sapo shkel në Porto Romano. Mushkëritë nuk ngopen me ajër dhe nuk është se duhet të dish nga punët e ambientit, për të kuptuar që në këtë zonë nuk mund të jetosh. Por banorët e ardhur gjatë këtyre 12 viteve, thuajse janë mësuar me ajrin e squfurit të Porto Romanos. Janë lodhur se kërkuari lart e poshtë një tjetër vend për të banuar dhe tani ngrysin ditët në këtë vend, ku jeta ngjizet me vdekjen. Të ardhurit, kryesisht nga Shqipëria verilindore, nuk donin t’ia dinin në vitet ’90 për vendin, që specialistët e etiketonin si një nga zonat me rrezikshmëri më të lartë ndotjeje. Ndërsa sot, duket se frika është hedhur pas krahëve. Toka e ‘helmuar” është kthyer në burim të ardhurash dhe kaq mjafton për këta banorë.
Në rrugën e ish- Fabrikës të Lëkurës, ku tani kalon rruga kryesore e Porto Romanos, rrjedh jeta e përditshme e gjithë njerëzve të saj. Kur nuk ke kaluar asnjë kilometër nga qendra, një pirg i madh plehrash është kthyer në vendin ku sigurohet buka e përditshme. Banorët me zor presin kamionët e plehrave: në momentin që kova ngrihet- një tufë e pafundme njerëzish: pleq, gra, fëmijë zhyten të marrin hekurishte. Ndërkohë, pjesa më e pasur e fshatit i përket dy zonave të quajtura “Adriatik” dhe “Sektori Rinia”. Në këto dy lagje janë vendosur kuksianët e shpronësuar nga hidocentralii Fierzës. Këta janë dhe “zengjinët” e Porto Romanos. Edhe pse kryeministri e bëri me dije 2 muaj më parë projektin për Parkun Energjitik, në Porto –Romano ka rreth dy vjet që flitet për projektet e “arit të zi”. Në qendër të lagjes, burrat e mbledhur aty bërtasin sa kanë zë për projektin gjigant. “Fillimisht u ndërtuan ca çisterna, më pas u dukën sekserët. Nuk kaloi shumë dhe u rrit si me magji çmimi i tokës”-të thotë Hakiu, që me paratë e emigracionit në Gjermani ka ndërtuar një lokal në qendër të lagjes. Në fakt, pjesën më të madhe të kohës Hakiu ha vetëm fara. Ndërsa në ditët që duket në këto anë ndonjë sekser tokash, lokali i tij bën xhiron e një jave.
Mblidhen të gjithë burrat dhe aty nis pazari ku më të hershmit që kanë shitur tokën sa nuk shkulin flokët e kokës. Dy vjet më parë, një dynym tokë në Porto Romano shitej për 40 mijë lekë të reja. Ndërsa sot dynymi ka kapur shifrën e 200 mijë lekëve. Për fat të keq, në fushat e Porto Romanos ka shumë pak tokë të pazënë. Hakiu thotë se rreth 1 mijë ha tokë rrezulton të jetë e shitur vetëm gjatë këtyre muajve të fundit.Por askush nuk di të thotë se kush është pronari real, pasi toka është blerë kryesisht nga sekserët. Të thonë se tokat janë blerë për llogari të Argitës, por këto janë fjalë me të cilat vendasit gjerbin kafenë e shtyjnë orët. Ndërkohë, dalja në skenë e boshnjakut Damir Fazlliç u ka nxehur gjakun kuksianëve. “Ne i kemi marrë paratë dhe për ne është e rëndësishme që tashmë kjo tokë që kemi, është më e shtrenjtë”- të thotë Agim Hoxha, një tjetër banor i zonës.Por tashmë nuk ka më toka të lira, edhe në këtë zonë të kontaminuar. Burrat atythonë se kanë mbetur pa u shitur vetëm paracelat 15-20, ndërsa sipërfaqet e tjera prej mijëra metrash katrorë rezultojnë të blera. “Di që do të ndërtohet një park energjitik, por tek komuna jonë nuk është zbardhur ende vendimi. Presim çfarë do të bëjë qeveria”,- thotë kryetari i Komunës së Porto-Romanos, Luan Shaba.
ROMPETROL
Parku Energjitik, Fazlliç zotëron 40 % të aksioneve
TIRANË- Në janar të vitit 2005, “Rompetrol Group” rezulton të ketë blerë disa hektarë tokë në Porto Romano për të ndërtuar një impiant gjigant të depozitimit të naftës. Në kohën që Lulzim Basha ishte ministër i Transporteve, kunati i tij administronte kompaninë “ Croën Acquisitions” të Damir Fazlliçit. Siç rezulton në dokumentet hipotekore, Fazlliç ka blerë disa hektarë tokë në Porto Romano në emër të kompanisë “Crown Acquisitions”, edhe pse kjo kompani rezulton ligjërisht e shitur tek“Altaria Research Limited” , që Fazlliç deklaroi që është kompani e tij në Qipro. Administratore e kompanisë qipriote është avokatja Flutura Kola, bashkëpronare në studio me Argita Berishën.Por nga dokumentet rezulton se kjo nuk është pasuria e vetme e Damir Fazlliçit në Porto Romano. Kompania “Kelena LTD”e cila përfaqësohet nga Damir Fazlliç, si aksionere 40 për qind e “Rompetrol-it” që në janar të vitit 2005 ka blerë sipërfaqe të konsiderueshme tokash në zonën e kontaminuar. Pra nga ajo sa rezultonnë Porto Romano deri tani kemi dy kompani që janë të njëjtët njerëz, “Croën Acquisitions”, me pronar “Altaria Research Limited” dhe “Rompetrol Albania” sh. a., me ortak “Kelena LTD” dhe “Rompetrol Grup NV”. Në të dyja rastet i përfshirë është Fazlliç.
Albert Nexhi rrëfen për “Shekullin” se fillimisht u ndërtuan depozitat e naftës, e më pas s’mbeti tokë pa u shitur
“Çmimi i tokës u rrit pas jehonës për Parkun Energjitik”
PORTO-ROMANO- Bertin e njohin të gjithë në lagjen e quajtur “Sektori Rinia” në Porto Romano. Me kamionçinën e tij ka ndërtuar të gjitha banesat e reja në këtë zonë, kryesisht pas vitit 2000. Kamionçina është i vetmi mjet jetëse për familjen e Albert Nexhit. Në Porto Romano, babai i dy fëmijëve konsiderohet njeriu më me fat, tani që kanë nisur të gëlojnë ndërtimet. Por duket se edhe puna e krahut nuk mjafton për të mbajtur familjen e tij. Një vit më parë, ai është detyruar të shesë tokën e tij. Por edhe këtu i ka ecuar “pazari”. Në ndryshim me shumë bashkëfshatarë të tij, Albert Nexhi ka mundur të shesë 1000 metra të kontaminuara me një çmim të mirë, falë projektit të qeverisë për Parkun Energjitik.Për gazetën “Shekulli”, 40- vjeçari tregon shitjen e pronës së tij, ku sot e kësaj dite nuk di se kush është bërë pronari i ri.
Si e keni trashëguar tokën në Porto Romano?
Unë vij nga Kukësi dhe i përkasim atyre familjeve të shpronësuara për shkak të përmbytjes së qytetit nga ndërtimi i hidrocentralit. Kemi ardhur këtu pas viteve’90, kur qeveria e atëhershme e Berishës na gjeti si tokë për të kompensuar këtë vend të kontaminuar dhe të njohur si zonë ku persekutoheshintë burgosurit politikë. Toka këtu është ndarë, siç ishim në fshat dhe unë kam marrë 3 mijë metra katrorë. Fillimisht kam ndërtuar vetëm shtëpinë dhe nuk kam shitur asgjë.
Po tani si mundët ta shisni tokën tuaj?
Toka që ne kemi, është me dokumente të rregullta, por deri para një viti, çmimi i saj ishte shumë i lirë. Megjithëse kisha gjendje jo fort të mirë ekonomike, prapë nuk e shita kur çmimi ishte rreth 1 milion lekë të vjetra për 1000 metra katrorë. Ka dy vjet që këtu flitet për projekte të rëndësishme dhe menjëherë filloi të rritej dhe çmimi i tokës. Fillimisht u ndërtuan disa depozita nafte, ndërsa tani çmimi i 1000 metrave ka shkuar rreth 18 milionë lekë.
Po ju me sa lekë e keni shitur?
Në fak unë e kam shitur një vit më parë dhe çmimi ishte më i ulët. 15 milionë lekë kam shitur vetëm një dynym. Ndërsa tani që po rritet çmimi, nuk ka më tokë të lirë këtu.
Kujt ia keni shitur pronën tuaj?
Në fakt nuk e di. Këtu përfliten shumë emra, por ekzaktësisht unë nuk ia mbaj mend emrin atij personi që i kam shitur tokën. Këtu nuk vjen vetëm një njeri, por vijnë persona të ndryshëm që bëjnë blerje në emër të një njeriu.
Po ju nuk keni asnjë kopje të kontratës?
Jo. Di që është në komunë për të bërë zhvendosjen e pronësisë.
Po ku e nënshkruat kontratën e shitjes?
Pranë hipotekës së Durrësit, aty është një zyrë noterie dhe unë di që gjithë fshati i ka bërë aty dokumentet e shitjes së tokës. Ndërsa mua më interesonin vetëm paratë. Për të tjerat, nuk doja t’ia dija.