Porto triumfon në Europa League

Me rezultat prej 1-0, në finalen e të mërkurës mbrëma në Irlandë, Porto ka mposhtur Bragan për ta rrëmbyer trofeun e Europa League në edicionin 2010/2011.
Stadiumi Aviva në Dublin ishte arena ku u takuan dy skuadrat portugeze për të zhvilluar finalen e garës së dytë më të rëndësishme për klube në Evropë.
Porto e filloi ndeshjen me asnjë humbje në Kampionatin portugez, ndërsa Braga duhej të ishte pa presion sepse nuk kishte çfarë të humbte.
Gjysma e parë e takimit nuk dha shumë për t`u shijuar, megjithatë u realizua një gol.
Një minutë pa përfunduar gjysma e parë, pas një krosimi të Freddy Guarin, Radamel Falcao shënoi me kokë për të kaluar Porton në epërsi dhe për të shënuar golin e 17-të në këtë garë, në të cilën është edhe golashënuesi më i mirë, para Giuseppe Rossit që ka 11 gola.
Në fraksionin e dytë të lojës, Braga u mundua që të ndryshonte diçka sa i përket rezultatit, mirëpo dështoi të shënonte gol.
Kështu, falë një goli të vetëm të shënuar në gjysmën e parë, Porto shpallet kampion i sivjetëm i Europa League.