Prishtina e Peja, për titull
Sigal Prishtina dhe Peja e kanë siguruar nga një vend në finale të play-offit të BKT Superligës së Kosovës në basketboll. Bardh e kaltrit në gjysmëfinale e eliminuan Trepçën, kurse verdh e zinjtë – Bambin.
Kampioni aktual ishte më i suksesshëm se mitrovicasit, të cilët i mposhti 2-0 në serinë e ndeshjeve. Prishtinasit kanë qenë bindshëm më të mirë të mërkurën mbrëma, në takimin e dytë, e cila u zhvillua në Palestrën e Sporteve ‘Minatori’ në Mitrovicë.
Ata fituan me rezultat të thellë 105:67 duke dominuar në të gjithë çerekët. Ata pothuajse e kryen punën qysh në pjesën e parë, të cilën e mbyllën në dobi të tyre 46:32 (çereku i parë 17:19, i dyti 15:27).
Në pjesën e dytë ata veç sa e ngritën avantazhin, duke e mbyllur periudhën e tretë 25:14 dhe të katërtën 34:21, për ta përfunduar ndeshjen me 38 pikë avantazh.
Në radhët e mysafirëve, më të mirët ishin Thimothy Burnette (24) e Edmond Azemi (16), kurse tek vendësit u shqua Drilon Hajrizi, i cili realizoi 26 pikë.
Në duelin tjetër, pejanët u treguan të sigurt ndaj ekipit serb nga Mitrovica edhe në Palestrën e Sporteve ‘Karagaçi’ në Pejë, pa i dhënë rast kundërshtarit për ndeshjen e tretë. Djelmoshat e Bujar Locit kanë dominuar ndaj miqve, të cilët megjithatë nuk u dorëzuan deri në momentet e fundit.
Epërsia e vendësve sillej kah 10 pikëshi, ndërsa në një moment arriti në +14 pikë, 82:68. Në fund, pejanët e udhëhequr nga dyshja amerikane Damarius Bolds e Justin Dobbins, por edhe nga lojtarët vendorë, fituan me 10 pikë epërsi, 88:78.
Peja dhe Sigal Prishtina ishin takuar në mes vete 10 ditë më parë në finale të Kupës së Kosovës, ku fitonin verdh e zinjtë. Këto dy skuadra janë më të mirat në vend për momentin, kështu që u kualifikuan në finale të play-offit me plot meritë.
BKT Superliga
Gjysmëfinalja e play-offit
Trepça – Sigal Prishtina67:105 (0-2)
Peja – Bambi88:78 (2-0)