E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuberkulozi, ja harta e zonave më të prekura

Sipas ministrit të Shëndetësisë, vitin e kaluar u shënuan 417 raste të reja me TB. Tropoja, Mirdita, Kukësi, Puka, në listën e zonave më të prekura


Specialistët: Një i sëmurë me TB mund të infektojë deri në 15 njerëz në vit. Ja më të rrezikuarit dhe shenjat e sëmundjes


Tuberkulozi (TB) është sëmundje ngjitëse dhe e rëndë. Nëse sëmundja e tuberkulozit nuk trajtohet, një person me sëmundje aktive të TB do të infektojë mesatarisht 10-15 njerëz në vit.


Pikërisht dje, në Ditën Botërore të Luftës kundër Tuberkulozit, u bënë publike shifrat e TB në vendin tonë dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, thekoi se vendi ynë nuk futet në hartën e vendeve më të prekura, por mbetet ende për të luftuar këtë sëmundje. Gjithashtu, u bënë publike dhe vendet më të prekura nga TB në vendin tonë, ku Tropoja, Mirdita dhe Puka renditeshin në listën e zezë të zonave më të prekura në vend.


Harta


Incidenca e tuberkulozit aktualisht në vendin tonë është 13 raste të reja në vit për 100 mijë banorë dhe vitin e kaluar ka pasur plot 417 raste të reja. Sa i takon hartës së vendeve që kanë numrin më të lartë të tuberkulozit, në vendin e parë të listës së zezë, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, është Tropoja me Tropoja 34 raste për 100.000 banorë e ndjekur nga Mirdita 33.3 raste për 100.000 banorë.


Ndërsa, në vendin e tretë renditet Puka me 28.1 raste për 100.000 banorë dhe Kukësi 27.4 raste për 100.000 banorë. Gjithashtu, edhe Dibra dhe Lezha janë ndër zonat që kanë numrin më të lartë të rasteve me Tuberkuloz.


Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, theksoi se politikat shëndetësore dhe strategjia Kombëtare e Antituberkulozit synojmë që indidenca 13 të prekur në vit për 100 mijë banorë të zbresë në 10 raste të reja në vit për 100 mijë banor.


"Megjithatë, vlen të përmendet fakti se vendi ynë ka një numër të vogël të infektuarish me TB krahasuar me vendet e tjera. Arritje do të jetë kur tuberkulozi të luftohet me medikamente të marra nga goja", - pohon ministri Vasili.


Infektimi


Tuberkulozi (TB) është sëmundje ngjitëse. Sipas specialistëve, sikur gripi, ai përhapet me anë të ajrit. "Vetëm njerëzit që janë të sëmurë me TB të mushkërive, janë infektues për të tjerët. Kur këta njerëz kolliten, teshtijnë, flasin apo pështyjnë ata shpërndajnë në ajër mikrobet e TB të njohura si bacile. Për t'u infektuar mjafton thithja e një numri të vogël të këtyre", shpjegojnë specialistët.


Ndërsa, sa i takon kategorive më të rrezikuara nga TB, specialistët shpjegojnë se janë personat që banojnë dhe kanë kontakt të afërt me të sëmurë me TB, Fëmijët që kanë kontakt me të sëmurët me TB, personat që vuajnë nga sëmundje si diabet, ulcerë stomaku dhe disa sëmundje të tjera kronike, të cilat ulin rezistencën e organizmit të njeriut ndaj mikrobit të TB-së.


Gjithashtu, specialistët theksojnë se të rrezikuar janë edhe alkoolistët dhe duhanpirësit. "Megjithatë, kushdo mund të sëmuret nga TB-ja, sepse mikrobi merret kryesisht nëpërmjet ajrit. TB nuk është sëmundje e trashëgueshme", theksojnë specialistët.


Tuberkulozi, rezistent ndaj barnave

Kanë filluar të shfaqen shtame të Tuberkulozit që janë rezistente ndaj të gjithë preparateve madhore anti-TB. Sipas specialistëve, rezistenca shkaktohet si pasojë e mjekimit jo korrekt kur pacientët nuk marrin të gjitha preparatet rregullisht për të gjithë periudhën e kërkuar, sepse ata fillojnë të ndihen mirë.


"Një formë vçanërisht e rrezikshme e TB rezistent është TB multi-drug rezistent (MDR-TB) që përkufizohet si sëmundja e shkaktuar nga bacile të TB që janë rezistente, ndaj të paktën izoniacidit dhe rifampinës dy preparate më të fuqishme", pohojnë specialistët.


Tropoja 34 raste për 100.000 banorë
Mirdita 33.3 raste për 100.000 banorë
Puka 28.1 raste për 100.000 banorë
Kukësi 27.4 raste për 100.000 banorë
Dibra 27.3 raste për 100.000 banorë
Lezha 27 raste për 1000.000 banorë


Shenjat e tuberkulozit


Kolla, vçanërisht kolla që zgjat më shumë se tre javë
Temperaturë, zakonisht jo e lartë 37-38 gradë
Djersitje, vçanërisht natën
Humbje oreksi
Dhimbje gjoksi
Rënie në peshë
Në raste më të avancuara të sëmundjes, kolla është me gëlbazë me rrema gjaku


Të rrezikuarit më shumë nga TB-ja


Personat që banojnë dhe kanë kontakt të afërt me të sëmurë me TB
Fëmijët që kanë kontakt me të sëmurët me TB
Personat që vuajnë nga sëmundje si diabet, ulcerë stomaku dhe disa sëmundje të tjera kronike, të cilat ulin rezistencën e organizmit të njeriut ndaj mikrobit të TB-së
Alkoolistët dhe duhanpirësit
Kushdo mund të sëmuret nga TB-ja, sepse mikrobi merret kryesisht nëpërmjet ajrit
TB nuk është sëmundje e trashëgueshme


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›