Shpërndanin drogë, dy vetë përfundojnë në pranga
DURRËS / Operacioni "Kryqëzimi" prangosi shtetasit Fatmir Krasniqi dhe Luan Kokomani të moshave 27 dhe 26 vjeç
DURRËS - Dy shpërndarës droge kanë përfunduar në pranga nga policia e Durrësit. Dy të arrestuarit ishin persona që e zhvillonin veprimtarinë e tyre kryesisht mes të rinjve të lagjes 17 të qytetit bregdetar, zonë në të cilën ata edhe u arrestuan.
Pas informacionit të marrë në rrugë operative, policia ka mundur t'i bllokojë ata pikërisht në momentin që kanë tentuar të kontaktojnë një konsumator të lëndëve narkotike, ndërkohë që u është bllokuar edhe mjeti me të cilin lëviznin. Sipas burimeve zyrtare të policisë, në pranga përfunduan Fatmir Krasniqi dhe Luan Kokomani. Arrestimi i tyre u bë në kuadër të operacionit "Kryqëzimi" pas një informacioni për shpërndarje të narkotikëve në disa zona të qytetit.
"Të arrestuarit janë 27-vjeçari Fatmir Krasniqi, lindur e banues në lagjen 16 Durrës dhe 26-vjeçari Luan Kokomani, lindur e banues në Tiranë, të dy të dënuar më parë për vjedhje", u shpreh zëdhënësja Ornela Cako.
Ajo konfirmon se u arrit që dy shtetasit e mësipërm të kapen në flagrancë duke shitur lëndë narkotike në lagjen 17 Durrës, me autoveturën "Volksvagen" me targa TR 8280 M të drejtuar nga Luan Kokomani. Në këtë automjet u gjet dhe u sekuestrua sasia prej 0,80 gr lëndë e dyshuar si heroinë.
Për sasinë e gjetur mësohet se zotëruesi i saj ka deklaruar se ishte drogë që e përdorte për vete. Pas këtij pretendimi është bërë një kontroll edhe në banesën e Krasniqit, ku u gjet sasia prej 735,6 gramësh lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa. Më pas dy të rinjtë janë dërguar në paraburgim. Akuza e ngritur ndaj tyre është "shpërndarje e lëndëve narkotike".