E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portsmouthit i merren 9 pikë

Portsmouthit i janë marrë të mërkurën 9 pikë nga Premierliga. Me probleme financiare, klubi anglez e dinte se do ta paguante sanksionin, pasi u mor nën kontroll administrativ. Tash ekipi Pompey, që udhëhiqet nga menaxheri Avram Grant, ka vetëm 10 pikë dhe, sipas të gjitha gjasave, sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Championship (Liga e Parë angleze).

“Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Portsmouthit i janë reduktuar nëntë pikë. Si pjesë e këtij procesi, bordi u takua me administratorin që të merren vesh se si do të punojnë së bashku për pjesën e mbetur të sezonit, për t’ia siguruar klubit nevojat që ka për angazhimet tjera deri në fund të sezonit”, shkruan në deklaratën e lëshuar nga Premierliga.

Përkundër borxhit prej 65 milionë funtesh, administratori Andrew Andronikou është optimist se Portsmouth do të gjejë pronarë të rinj. Por, ai insiston se ata që dëshirojnë ta blejnë klubin, duhet ta deklarojnë identitetin e pasurisë së tyre në Premierligë.

Administratori ka kërkuar po ashtu që ai i cili dëshiron ta blejë klubin se duhet të tregojë prova se sa para ka në dispozicion. “Për pronarët e rinj mund të dihet diçka kah mesi i javës së ardhshme. Unë kam kërkuar të di se cilët do të mund të jenë pronarët. Kjo është pjesë e një sërë informatash që unë kam nevojë t’i di”, ka thënë administratori Andronikou.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›