E Diel, 1 Nëntor 2026

Ëndërron përballjen me Man Utd

Njëra ndër befasitë më të mëdha të së tetës së finales ishte gjiganti rus CSKA Moscow, që eliminoi klubin spanjoll Sevilla, duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 3:2 (1:1 ndeshja e parë, 2:1 e dyta). Mesfushori i CSKA, Mark Gonzalez, ishte shumë i gëzuar për arritjen e madhe të ekipit të tij.

“E dinim shumë mirë nga loja e parë se po na priste një ndeshje e fortë. Çelësi i suksesit tonë ishte se ne nuk po ndienim ndonjë presion apo ndonjë shqetësim. Kjo do të thotë se ne ishim totalisht të fokusuar në planin e lojës sonë”, ka thënë Gonzalez për uefa.com.

“Sevilla e filloi shumë mirë ndeshjen dhe mund të shënonte, kurse faza tjetër e lojës ishte e jona. Ne e dinim rëndësinë e golit të dytë, por edhe pas shënimit të tij vazhduam dominimin”, shtoi ai. Përfaqësuesi kilian, që në të kaluarën ishte pjesë e Liverpoolit, do të dëshironte që në çerekfinale ekipi i tij rus të përballet me Manchester United .

“Si ish futbollist i Liverpoolit do të doja të ballafaqoheshim me Manchester United. CSKA luajti me ta në fazën e grupeve, por unë nuk e pata atë mundësi sepse isha i lënduar. Do të ishte bukur t’i kemi përballë sërish, sepse bëhet fjalë për një ekip të madh”, përfundoi Gonzalez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›