E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter mund të fitojë krejt Ligën e Kampionëve

Menaxheri i Chelseas, Carlo Ancelotti, është treguar mjaft fair-play, duke ia uruar fitoren skuadrës së Jose Mourinhos, Interit. Madje trajneri italian i konsideron Nerazzurrët aq të fortë, sa të mund ta fitojnë krejt Ligën e Kampionëve.

Inter arriti ta eliminojë Chelsean në të tetën e finales së këtij kompeticioni, duke e mposhtur në të dyja ndeshjet, 2:1 e 1:0. “Një fitore si kjo mund të jetë një sinjal i rëndësishëm. Nerazzurrët i kanë mundësitë që të luftojnë për këtë kupë”, ka thënë për Sky Sports Ancelotti, i cili nuk deshi t’i komentonte dy rastet e dyshimta kur gjyqtari ka mundur të akordojë penallti për skuadrën e tij.

Ish trajneri i Milanit e ka analizuar ndeshjen kundër Blues. Ai mendon se presioni që bëri skuadra e Mourinhos ishte vendimtar në humbjen e ekipit londinez.

“Mendoj se ne luajtëm më mirë në lojën e parë, ndërsa tash nuk ishim në gjendje ta përsërisnim atë lojë. Interi e meritoi fitoren, të cilën ia uroj. Ne nuk luajtëm ashtu siç deshëm. Inter punoi mjaft në mes të fushës dhe e vuri nën presion mesfushën tonë, duke na krijuar vështirësi në lojën tonë. Nerazzurrët luajtën mjaft mirë, të fortë në mbrojtje dhe të mirë në kundërsulme, duke e bllokuar lojën tonë”, tha Ancelotti i cili shtoi se në Itali uron që Scudetton ta fitojë Milani.

Trajneri italian nuk ndihet i befasuar me faktin se Inter luajti me tre sulmues, plus Sneijder prapa, pasi që thotë se ky formacion i ka funksionuar Mourinhos në fund të ndeshjes së parë. Në anën tjetër, Jose Mourinho të martën mbrëma u ndie njeriu më i lumtur në botë. Jo pse e eliminoi ish skuadrën e tij, por për faktin se ekipi i tij i ri u kualifikua në çerekfinale.

“Mendoj se çdo gjë ishte superiore, çdo gjë në fushë ishte superiore. Chelsea ishte mjaft i frustruar që nga fillimi dhe frustrimi i tyre ishte se ata e ndienin se përpara kishin një kundërshtar të fortë. Ne erdhëm këtu duke e ditur mjaft mirë mënyrën se si do të luanim. Ne e kishim topin nën kontroll. Mënyrën se si ata bënë presion dhe sulmuan, nëse nuk je në gjendje ta kontrollosh lojën, ndeshja bëhet mjaft e vështirë”, deklaroi trajneri portugez.

“Ekipi im e meritoi fitoren, futbollistët e mi ishin më të mirët në fushë. Mendoj se secili futbollist u paraqit në nivel të lartë dhe kjo ishte një paraqitje perfekte. E merituam këtë fitore sepse ishim ekip më i mirë. Sonte mësova se ne mund ta mposhtim çdokënd, sepse Chelsea është njëri prej më të mirëve. Isha i frikësuar kur i lëshuam disa raste, por kur e shënuam golin, çdo gjë ishte në rregull. Kam festuar shumë në dhomën e zhveshjeve, kur ndeshja përfundoi”, vazhdoi Mourinho.

Chelsea, që konsiderohej si njëri prej favoritëve për ta fituar garën më të rëndësishme evropiane të futbollit, u përshëndet shumë herët nga kjo garë, ndërsa Inter u kualifikua në çerekfinale. Nerazzurrët do ta mësojnë emrin e kundërshtarit të premten, kur do të hidhet shorti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›