Portugali-Spanjë apo Real-Barcelona?

Cesk Fabregas e ka quajtur gjysmëfinalen e Spanjës me fqinjët e tyre luzitanë, Portugalinë, si "El Clacico"-n e Euro 2012. Ylli i Barcelonës e krahason stilin e lojës së portugezëve me atë të kundërsulmit me të cilën luan Real Madrid, ndërsa Spanja është si Barcelona me yjet Pique, Xavi, Iniesta, Busquets dhe vetë Fabregas. Ndërkohë që Reali përfaqësohet nga Casillas, Arbeloa, Albiol dhe Xabi Alonso.
"Portugalia është një prej ekipeve më të forta të turneut. Ata mbrohen mirë dhe janë vrastarë në kundërsulm. Janë pak a shumë si skuadra e Real Madrid dhe për t`i mundur duhet të jemi në ditën tonë më të mirë. Ky duel mund të krahasohet me Real-Barcelona sa i përket stilit të lojës", u shpreh sulmuesi Fabregas.
Kampionët në fuqi eliminuan Francën në çerekfinale, duke u dhënë fund 28 viteve pa fituar kundër "Gjelave". Ish-kapiteni i Arsenali është përdorur nga trajneri Vicente Del Bosque si sulmues i mirëfilltë, por ai refuzon të krahasohet me shokun e tij te Barcelona, yllin argjentinas Lionel Messi.
"Unë nuk e kam krahasuar kurrë veten me Leo Messin. Kjo është absurde. Unë luaj atje ku trajneri më kërkon ta bëj dhe nuk ndihem mirë, edhe pse po më krahasoni me lojtarin më të mirë në historinë e futbollit", vijoi Cesc.
Nëse Spanja kalon Portugalinë atëherë në Kiev në 1 korrik do të presë një midis Gjermanisë apo Italisë. Për lojtarin katalanas e kanë befasuar të dyja skuadrat dhe parashikon një përballje epike që do të nxirrte fituese Gjermaninë.
"Italia ka një skuadër shumë të fortë siç e pamë me Anglinë. Por, Gjermania është një skuadër që nuk i mungon asgjë. Personalisht më pëlqejnë shumë. Do të jetë një ndeshje e luftuar, por pres Gjermaninë që të kalojë. Një finale Spanjë-Gjermani si në turneun e katër viteve më parë do të ishte shumë emocionuese dhe e bukur", përfundoi Cesc Fabregas.