Shtypi britanik: Penallti të mallkuara!
Shtypi anglez ka tentuar ta kalojë me ironi eliminimin nga Euro 2012: Shpresat u bënë hi, por vetëm Italia ka një lojtar si Pirlo.
Shtypi anglez dje ka tentuar ta kalojë me ironi eliminimin e Anglisë së drejtuar nga Hodgson, por duke pranuar superioritetin e axurrëve. Eshli Kol dhe Eshli Jang ishin protagonistët e humbjes.
Ditët e fundit lojtarët e Anglisë thoshin nëpër gazeta se madje ishin përgatitur edhe për penalltitë dhe se këtë herë nuk do të eliminoheshin nga kjo lotari e tmerrshme.
Por historia u përsërit dhe Anglia u mund edhe një herë kështu duke u larguar nga Europiani pikërisht nga penalltitë, madje Xho Hart nuk arriti të priste as edhe një të vetme, pasi penalltia e gabuar nga Montolivo në fakt u gjuajt jashtë.
I kuptueshëm edhe titulli Hart Ache (që i ngjan shumë heartache ose dhembjes së zemrës) nga Daily Mail për disfatën angleze nga pika e bardhë e penalltisë, e kompletuar nga gabimet e dy lojtarëve me emrin Eshli, Jang dhe Kol, të cilët janë bërë nga Eshli në Ashes, ose hi.
Ashes to Ashleys ishte titulli në gazetën Sun, kurse Times shkruan për Shpresa të “shndërruara në hi, për kthimin në hi të ëndrrave të Roit, siç thotë edhe Daily Express, e cila i njeh meritën Italisë për kontrollin e ndeshjes falë Andrea Pirlos.
Anglezëve u mungon një lojtar si Pirlo
Shumica e gazetave angleze, mbi të gjitha Daily Mail, se deri kur Anglia të gjejë një Pirlo, duhet të përgatitet për shumë net të tilla. Kjo profeci nuk është më fatkeqe se ajo e penalltive, apo më mirë të thuhet mallkimi i 11-metërshave, që u përmend nga mediat angleze edhe në prag të kësaj ndeshjeje thuajse si një besëtytni kolektive me qëllimin e mirë për të larguar frikën e humbjes, por që më pas u kthye në dështim dhe në torturë penalltish (Daily Star) ose në agoni penalltish (Guardian).
Runi ishte në gjumë
Por në natën dramatike në Kiev ka diçka që mund të shpëtohet dhe sipas Telegraph mjafton të shihet me optimizëm gota e mbushur deri në gjysmë. Kjo gazetë shkruan se Hodgson ka ndërtuar një skuadër me themele të forta, por duhet të zhvillojë tani një lojë më sulmuese.
Pak më të zezë e sheh situatën Times, duke shkruar se ndeshja kundër italianëve tregoi atë lojën e vjetër e të zakonshme të Anglisë dhe e cilësoi Uejn Runin si letargjik dhe jo gati për nivelin ndërkombëtar.
Ishte e qartë se sulmuesi i Mançester Junajtid nuk përfitoi nga krahasimi që Roi i bëri me të famshmin Pele javën që shkoi dhe këtë herë nuk i solli fat as gruaja e tij Kolin, ashtu si ndodhi në ndeshjen kundër Ukrainës, ku Runi i dha fund mungesës 8-vjeçare të një goli në një turne zyrtar. Kur në mes është një mallkim historik si ai i penalltive, nuk ka rit apo besëtytni që të funksionojë.
Më mirë të luajnë tenis
Ndoshta për anglezët është mirë të ndërrojnë faqe dhe të merren me diçka tjetër. Ndoshta me tenis, siç sugjeron me ironi gazeta Sun, duke menduar për turneun e Wimbledonit që nisi dje apo edhe për Olimpiadat, kurse The Independent shkruan se më mirë që mbaroi kështu, që anglezët të qajnë pas penalltive dhe italianët të festojnë, pasi kështu kemi shmangur humbjen kundër gjermanëve, që për anglezët konsiderohet si ofendimi (jo vetëm futbollistik) më i rëndë.