E Diel, 1 Nëntor 2026

Prandeli sulmon Gjermaninë: Nuk do luajmë në mbrojtje

Përgatiti: Erion ABULE

Trajneri axurr e shikon skuadrën e Lëvit favorite, por thekson: Nuk ka ekipe të pathyeshme. Parapëlqej të pësoj gol me kundërsulm, se të vuaj për 20-të minuta

Çezare Prandeli mendon menjëherë për Gjermaninë: Është favorite. Ne luajmë 50% të rekuperuar pas ndeshjes së fundit dhe ditët e pushimit nuk mjaftojnë. Por këto ndeshje i japin siguri skuadrës dhe i lënë të kuptojnë ata që flasin për ne, se ka shumë mënyra për të shkuar te rezultati, – tha trajneri i axurrëve.

Një polemikë? Më pëlqen ti mbaj të gjitha kritikat për vete. Zëvendësimi i Kasanos? Ka luajtur katër ndeshje pas muajsh të tërë mungesë, por pagoi më shumë ritmin e ndeshjes se lodhjen. Megjithatë ishte ndeshja më e vështirë për Balotelin dhe Kasanon.

BALOTELI Mario më pëlqeu shumë, kishim nevojë ti jepnim thellësi manovrës dhe ai ishte një pikë referimi në sulm, ishte shumë i disiplinuar, ndoshta në 4-5 raste i mungoi momenti, fati dhe kthjelltësia, por paraqitja e tij ishte e mjaftueshme. Në momentin që do të kuptojmë si ta përballojmë Gjermaninë, do të bëj zgjedhjet e mia.

Duhet të zbres në fushë një skuadër të gjallë, duhet të luftojmë, nëse e përgatisim mirë ndeshjen, nuk ka skuadra të pathyeshme, por të forta. Ne duhet ta luajmë ndeshjen mbi dobësitë e pakta që mund të ketë kundërshtari, ndaj duhet një përgatitje edhe për gjërat më minimale.

KURAJË Prandeli kërkon më shumë guxim nga skuadra e tij. Jemi të detyruar ta gjejmë këtë rrugë, futbolli është gjithnjë në rritje, tani diferencën e bëjnë skuadrat që kanë kurajë të ngrenë linjën mbrojtëse, të luajnë dhe të vazhdojnë për 90-të minuta këtë kërkim sistematik. Këta djem po e kuptojnë për herë të parë që kanë aftësi të jashtëzakonshme.

Futbolli është tërheqës edhe për këtë, është një lojë, por do të doja të shikoja gjithnjë nëse një skuadër godet 30 herë në portë dhe nga 10 ndeshje, 9 i fiton.  Jemi vetëm në fillim, është një proces i gjatë, por e ndjejmë këtë përgjegjësi, sepse kemi aftësi.

NË SULM Kundër Gjermanisë duhet të luajmë me ndërgjegje për të bërë ndeshjen tonë, duhet të rrezikojmë dhe jo të mbrojmë zonën tonë, parapëlqej të pësoj gol me kundërsulm se të qëndroj 20 minuta duke vuajtur.

Ata luajnë me një qendërsulmues, me anësorë dhe sulmues që i japin thellësi lojës dhe një gjysmësulmues, por aspekti taktik është i fundit nga problemet e mia, jemi të zotë gjithnjë të gjejmë ekuilibrin, por kur flitet për modul bëhet fjalë gjithnjë për atë mbrojtës. Kundër Anglisë e zotëruam topin 68%, kur ke këtë aftësi duhet të përpiqesh ta shfrytëzosh.

KUJTIME Itali-Gjermani e 1970 është konsideruar gjithnjë nga ne fëmijët, atëherë 14-vjeçarë, si super ndeshja. Kujtoj që isha në shtëpi, e pashë ndeshjen me babanë tim dhe besoj se ka qenë emocioni më i fortë.

PIRLO Nuk e di nëse Andrea është më i fortë se Ksavi, por sigurisht është mes më të fortëve në botë, sepse përveç cilësisë, ka një rendiment mbresëlënës gjatë ndeshjes. Ndoshta mesfushorë të tjerë luajnë 20 metra më përpara dhe shënojnë ndonjë gol më shumë, por vazhdimësia e rendimentit të Pirlos është e jashtëzakonshme.

Goli parabël? Mbeta edhe unë i befasuar, por më pëlqeu shumë deklarata që bëri kur tha se donte ti vinte nën presion anglezët, nuk e kisha menduar asnjëherë një gjë të tillë, me sa duket kampionë dinë çfarë bëjnë, ishte vërtet gjenial.

171 topa të prekur nga Pirlo, me 98 kalime pozitive dhe vetëm 6 të gabuara. Po ashtu janë edhe 16 vertikalizime, 3 krosime dhe 3 asiste

1.190 topa kanë prekur axurrët në ndeshjen çerekfinale kundër Anglisë, me këta të fundit që kanë prekur 683 gjithsej

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›