Portugalia dhe Bosnja caktojnë biletën e fundit
E lehtë duket transferta për Çekinë, ndërsa Kroacia dhe Irlanda e kanë siguruar kualifikimin
Mesfushori i Bosnje-Hercegovinës, Miralem Pjaniç, beson se përfaqësuesja e tij ka kualitet të mjaftueshëm për ta mposhtur Portugalinë në ndeshjen e sotme në Lisbonë, në mënyrë që të kualifikohet në Euro 2012. Dy kombëtaret barazuan pa gola në takimin e të premtes në Bosnje, ndërsa mesfushori i Romës mendon se një gol i shënuar si në fushën kundërshtare do të mjaftonte që përfaqësuesja e tij të siguronte një vend në turneun e vitit të ardhshëm. “Nëse e shënojmë një gol atje, atëherë mendoj se do të kualifikohemi. Atyre do t’u duhet që të shënojnë dy herë, dhe ne kemi lojtarët për ta bërë këtë. Ende është gjithçka e hapur, prandaj do të jetë një ndeshje e shkëlqyer. Ne do të shkojmë në Portugali që të luajmë lojën tonë, futbollin tonë. Ne treguam në Francë se mund t’ia arrijmë. Nuk kemi frikë. Jemi një skuadër që po përparojmë vazhdimisht dhe po arrijmë t’i rivalizojmë skuadrat e mëdha. Ajo që duam është të jemi në gara të mëdha, dhe ne do të marrim pjesë në garën e ardhshme”, ka thënë Pjanic për faqen zyrtare të UEFA-s. Ndërkohë, mbrojtësi portugez Bruno Alvesh është i bindur se Portugalia do ta mposhtë Bosnjë e Hercegovinën sot në ndeshjen vendimtare të play-offit eliminator për Euro 2012. Portugezët u ndalën me barazim pa gola në Zenicë të premten, por Alvesh thotë se ata do të arrijnë të fitojnë në ndeshjen e kthimit. “Ne jemi të përgatitur për çfarëdo skenari, ne nuk duam të pranojmë dhe ne duam të shënojmë. Ky është synimi kryesor: të fitojmë. Do të jetë vështirë por ekipi jonë ka kualitet të mjaftueshëm që të shkojë më tej. Ne presim që ata të luajnë një ndeshje të ngjashme me atë që bënë në takimin e parë, të luajnë me kundërsulme, por mbase me më shumë qarkullim të topit. Ata u mbrojtën mirë dhe kanë bërë disa kalime të mira”, ka thënë Alvesh
Play-off
Sot
Kroaci – Turqi 20:05 (3-0)
Mali i Zi – Çeki 20:15 (0-2)
Irlandë – Estoni 20:45 (4-0)
Portugali – Bosnje 22:00 (0-0)