E Diel, 1 Nëntor 2026

Poçi, patenta shqiptare duhet të njihet në Greqi

08/04/2005  Ministri i Transportit, një listë me kërkesa për homologun grek

Njohja e dokumentit të kolaudimit dhe licensimi i mjeteve të transportit

Shqiptarëve duhet t’u njihet tipi i ri i patentës në Greqi, mbështetur në standardet e BE-së për trafikun rrugor. Ministri i Transportit, Spartak Poçi, gjatë një takimi me homologun e tij grek, Michailis Liapis, ka prekur disa tema si transportin rrugor dhe atë ajror, dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në krjimin e lehtësirave për udhëtarët shqiptarë. Kështu, Poçi ka negociuar për hartimin e një marrëveshjeje për njehsimin dhe njohjen reciproke të lejes së drejtimit të drejtuesve të mjeteve. “Me prodhimin e lejes së re të drejtimit, e cila është në përputhje me standardet e BE-së, plotësohen të gjitha kushtet e nevojshme”, ka thënë Poçi. Në përputhje me marrëveshjen e trafikut rrugor, sipas Poçit, duhet të bëhet kontrolli i vetëm i një nga lejet e drejtimit, që përmbushin kërkesat e kësaj marrëveshjeje, pasi pala greke, drejtuesve shqiptarë të mjeteve u kërkon të dy lejet e drejtimit. Trafiku rrugor që lidh më dendur dy vendet, duket se nuk ka vetëm problemin e njehësimit të patentave. Poçi ka kërkuar të zgjidhet dhe çështja e njohjes së dokumentit të kolaudimit për makinat me targa shqiptare, të cilat kur futen në kufirin grek detyrohen të ribëjnë kontrollin teknik, e cila u kushton kohë dhe para. “Pala greke, automjeteve tona që kalojnë në territorin grek, në disa raste i detyron të bëjnë kontrollin teknik të mjeteve, megjithëse këtë kontroll e kanë kryer në Shqipëri dhe janë pajisur me dokumente sipas kërkesave të konventave ndërkombëtare”, i ka kujtuar Poçi homologut të tij grek, Michailis Liapis. Ministri grek i Transporteve ka patur objeksionet e veta në lidhje me trafikun illegal, që kryente nëpërmjet mjeteve shqiptare, të cilat bëjnë transport udhëtarësh pa patur licensën përkatëse. Pala shqiptare është shprehur plotësisht për një kontroll të këtyre autoveturave, por është rezervuar në mënyrën e kontrollit të propozuar nga pala greke, pasi ky propozim mund të sillte pasoja në kalimet kufitare të shtetasve shqiptarë, të cilët punojnë në Greqi dhe janë të pajisur me autovetura të regjistruara në Greqi. Aktualisht, në Shqipëri funksionojnë 13 shoqëri, të cilat janë të pajisura me 36 mijë leje për transport udhëtarësh dhe 75 leje për transport pasagjerësh. Lidhjet Shqipëri–Greqi kanë shtuar dhe fluksin e fluturimeve dhe kanë rritur interesin për trafikun ajror. Por, ndërsa shqiptarët dhe maqedonasit kanë nënshkruar dhe i janë përmbajtur “Protokollit të Bashkëpunimit në fushën e navigimit ajror në rajonin e Ballkanit”, pala greke ka ndërprerë bashkëpunimin. Duke qenë se ende nuk po zgjidhet problemi i rifillimit të funksionimit të bashkëpunimit tripalësh, një nga bashkëpunimet e para në rajon, ministri Poçi e parashtroi në takim këtë kërkesë. Gjatë takimit është folur dhe për projekte jugore, të financuara nga qeveria greke dhe konkretisht për segmentin Sarandë-Konispol. Sipas projektit të zbatimit, punimet e ndërtimit të kësaj rruge, me gjatësi 55 km, kushtojnë 58 milionë euro. Ministri Poçi, në emër të ministrisë së tij dhe Qeverisë shqiptare, u shpreh shumë i interesuar që punimet në këtë projekt të fillojnë sa më parë që te jetë e mundur, pasi përfundimi i kësaj rruge do t’i japë një zhvillim të ri gjithë zones, si dhe do të zhvillojë më tej lidhjet e dy popujve.

1999 – 2005

Shkodër-Tiranë-Athinë

Tiranë-Korçë-Athinë

Tiranë-Korçë-Selanik-Larisa-Athinë

Vlorë-Athinë

Sarandë-Athinë

Gjirokastër-Athinë-Janinë

Sarandë-Selanik, Përmet-Selanik

75 leje

për transport udhëtarësh

36 mijë leje

për transport mallrash

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›