E Diel, 1 Nëntor 2026

Romët, me strategji, por ende pa bukë

08/04/2005  Dita Ndërkombëtare e romëve

Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, duket se nuk do të mbrojë më vetëm të drejtat e minoritetit grek, apo atij vllehë, por do të marrë parasysh edhe ato të romëve.

Megjithëse është hartuar nga ana e Qeverisë shqiptare Strategjia Kombëtare për Romët, kjo strategji ka mbetur në letër dhe nuk ka pasur gjatë këtyre viteve asnjë përkujdesje, mbështetje financiare të kësaj strategjie duke lënë atë thjesht një dokument në letër, thuhet në njoftimin e për shtyp të LDLNJ-së. Indiferenca e Qeverisë ndaj këtij komuniteti ka bërë që papunësia te romët të jetë deri në 70 për qind, analfabetizmi te fëmijët romë është mbi 60 për qind, qindra familje rome janë të pastrehë, shumë prej tyre u flakin në rrugë si pasojë e prishjes së barakave dhe askush nuk kujdeset për ta, 90 për qind e këtij komuniteti jeton nën kufirin e minimumit jetik. Përballë kësaj gjendjeje LDLNJ-ja, duke mbështetur fuqishëm kërkesat dhe pretendimet që ka ky komunitet thekson se nuk mund të ketë integrim në BE pa përmirësuar të drejtat dhe liritë që duhet të gëzojnë romët në një shoqëri demokratike. Dita ndërkombëtare e romëve sivjet përkon me fillimin e 10-vjeçarit 2005-2015 që nga Banka Botërore, Fondacioni Soros dhe Institucionet Financiare Evropiane, është quajtur 10-Vjeçari i Romëve. Në këtë kuadër është detyrë e Qeverisë së ardhshme dhe e të gjithë Shoqatave dhe Institucioneve në Shqipëri të bëjnë ç’është e mundur që duke përfituar nga financimet e organizmave ndërkombëtare në koordinim me mundësitë që krijon buxheti i shtetit të shënohet një ndryshim i dukshëm në trajtimin dhe përmirësimin e standardeve të jetesës të komunitetit rom në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›