E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portugalia e Ronaldos , në krizë totale para Europianit

TIRANE-Vetëm pak ditë përpara debutimit në Europian kundër Gjermanisë, në shtëpinë e Portugalisë është një situatë alarmi. Pas barazimit 0-0 ndaj Polonisë dhe Maqedonisë, luzitanët janë mposhtur 3-1 nga Turqia, që ka nxjerrë në pah problemet e mëdha në mbrojtje të ekipit që drejtohet nga Paulo Bento.

“Kjo mbrojtje të fut frikën”, ishte titulli i madh i gazetës portugeze “Record” ditën e djeshme. Portugalia vuan gjithsesi edhe problemet në sulm, teksa Kristiano Ronaldo gaboi një penallti ndaj turqve. E ndërkohë, në Gjermani duken të lumtur për këtë rendiment të ekipit iberik. “Kjo Portugali nuk të tremb”, shkruajnë mediat gjermane. Disfata e dy ditëve më parë erdhi pasi Bento kishte hedhur në fushë formacionin më të mirë dhe një gjë e tillë i ka frikësuar të gjithë tifozët, sidomos duke parë se Portugalia ndodhet në një grup me Gjermaninë, Holandën e Danimarkën. “Jemi të trishtuar, sepse e dimë që nuk mund të bëjmë këto gabime, - tha Kristiano Ronaldo. – Duhet të jemi optimistë, sepse rruga është e gjatë”,shtoi ai.

(d.b/a.latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›