E Diel, 1 Nëntor 2026

Portugalia, ekip yjesh. Ekipi i 5-të më i shtrenjtë

Nga Altin Latifi
Portugalia është skuadra më e shtrenjtë që është ndeshur ndonjëherë Shqipëria. Ekipi portugez ka një vlerë të futbollistëve që shkon në 272 milionë euro, apo e thënë ndryshe, 10 herë më shtrenjtë se Shqipëria. Vetëm vlera e Kristiano Ronaldos në tregun e transferimeve shkon në 60 milionë euro. 

PORTUGALI- Shqipëria ndeshet të mërkurën me Portugalinë në Bragë, por shanset për ekipin kuqezi duken vërtetë të pakta për të marrë një rezultat pozitiv. Ndeshja ndaj Kristiano Ronaldos me shokë do të shënojë një kulm për kombëtaren shqiptare, përsa u përket përballjeve me ekipe që kanë në përbërje të tyre lojtarë cilësorë dhe të shtrenjtë. Iberikët janë padyshim ekipi me vlerën më të madhe që është ndeshur ndonjëherë përfaqësuesja kuqezi, kjo duke iu referuar vlerave të kartonave të secilit futbollist. Të dhënat zyrtare të publikuara në sitin e posaçëm “transfermarkt.de” bëjnë të ditur se ekipi portugez kushton 272 milionë euro. Mungesa e 4 futbollistëve si Deko, Simao, Rikardo Karvajo dhe Manike, e kanë ulur me 50 milionë euro vlerën e skuadrës iberike që do të përballet me Shqipërinë. Portugalia është skuadra e pestë më e shtrenjtë e kontinentit, pas Spanjës, Anglisë, Francës dhe Italisë. Nëse bëhet një llogaritje me buxhetin e shtetit shqiptar për vitin 2008, i cili kap shifrën e 286 milionë lekëve të reja, atëherë kemi të bëjmë me një skuadër që shkon në 1/10 e vlerës së tij. Nëse llogaritet me ekipin shqiptar, kemi të bëjmë me një skuadër 10 fish më të shtrenjtë. Lojtari më i kushtueshëm i Portugalisë është Kristiano Ronaldo, i cili ka një karton që shkon në 60 milionë euro. Lojtarë të tjerë si Kuarezma, Pepe apo Dani, kushtojnë mbi 20 milionë euro. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›