Besart Berisha, çështje kuqezi

Berisha, i cili ishte ngritur në nxehje, ka parë që trajneri Han nuk ia besoi atij ndërrimin e tretë dhe të fundit në minutën e 70, duke futur Ervin Bulkun në vend të të dëmtuarit Jahmir Hyka.
Sulmuesi shqiptar i Rosenborgut nuk e ka përmbajtur dot më veten dhe ka reaguar i revoltuar.
Ka flakur fanellën e kombëtares në drejtim të stolit dhe është larguar përpara përfundimit të ndeshjes, drejt dhomave të zhveshjes.
Madje, burime nga Budapesti bëjnë të ditur se futbollisti as nuk ka darkuar me ekipin në restorantin e hotelit. Edhe pse paksa më i qetë pasi kanë kaluar disa orë nga përfundimi i ndeshjes, një gjë të tillë Berisha e ka bërë të njohur në deklaratën që ka lëshuar: “Unë dua të respektoj vendimin e trajnerit dhe luaj për kombëtaren”, ka nënvizuar Berisha.
“Kombëtarja është gjëja më e rëndësishme që kam dhe sigurisht që e dua atë. Mendimi im dhe i shumë të tjerëve është që të luaj nga fillimi”.
Më pas ai ka lënë të kuptohet se trajneri holandez po aktivizon shumë futbollistë që nuk luajnë në kampionatet e tyre, ndërkohë lë jashtë saj disa të tjerë, të cilët gëzojnë formë të mirë, edhe në skuadrat ku ata militojnë.
“Ka shumë, nuk ka nevojë që t’ju them emra të përveçëm, megjithatë mendoj që unë duhet të luaj. Sigurisht që nuk bëj polemika me trajnerin, ai e di vetë, por derisa luaj në klub, pse mos të luaj edhe në përfaqësuese. Dua që të kem mbështetje nga trajneri”.
Ky nuk është rasti i parë i “erës” Han, pasi ka zëra se edhe portieri Ilion Lika, i cili ka kërkuar të mos grumbullohet, e ka nxjerrë vetëm si pretekst dëmtimin e tij, por në fakt ai është i zhgënjyer, pasi Han e la në tribunë ndaj Suedisë dhe Maltës.