Serbi, ambasadori britanik, Vordsvort: Shqetësues largimi i ambasadorëve
BEOGRAD-Ambasadori britanik në Serbi, Stiven Vordsvort shprehet I shqetësuar për vendimin e Beogradit që t'i largojë ambasadorët e Malit të Zi dhe të Maqedonisë, për shkak se këto dy vende njohën pavarësinë e Kosovës.
Në një intervistë për të përditshmen Blic, ai ka thënë se ky "është një zhvillim fatkeq i situatës". Vordsvort theksoi se raportet e mira fqinjësore janë kusht për integrimet evropiane nëpërmjet të procesit të stabilizim-asocimit me Bashkimin Evropian.
Ambasadori britanik përgënjeshtroi pohimet se Londra ka bërë presion ndaj Podgoricës dhe Shkupit që ta njohin Kosovën.
Ambasadori Vordsvort është shprehur kundër idesë së ndarjes së Kosovës duke thënë se "e vetmja çështje për të cilën të dy palët janë pajtuar është se nuk ka ndarje të Kosovës" dhe vlerësoi se kjo çështje është "destabilizuese dhe nuk i ndihmon askujt".
(d.b/BalkanWeb)