Portugalia zbulon listën, Keiroz kthen K.Ronaldon
Trajneri i Portugalisë Karlos Keiroz ka rikthyer në skuadër Kristiano Ronaldon, për ndeshjet me Suedinë dhe Shqipërinë. Në listën me 23 futbollistë bie në sy edhe prezenca e organizatorit Deko, që është i dëmtuar. Ndeshja Portugali-Shqipëri do të gjykohet nga një treshe arbitrash gjermanë.
Trajneri i Portugalisë Karlos Keiroz ka publikuar listën me 23 futbollistë për dy ndeshjet e radhës eleminatore, ato ndaj Suedisë dhe Shqipërisë. Ajo që bie në sy është rikthimi i Kristiano Ronaldos në skuadër, pasi mungoi në dy sfidat e para me Maltën dhe Danimarkën. Rikthimi i yllit të Mançester Junajtid pritet t’i japë një tjetër fytyrë lojës së portugezëve, që në ndeshjet e para krijuan shumë raste, por pa mundur të finalizojnë.
Në fakt, iberikët janë goditur nga dëmtime të shumta në këtë periudhë, por pavarësisht kësaj, Keiroz ka thirrur në ekip organizatorin Deko dhe mesfushorin Manike, të cilët mund të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Shqipërisë më 15 tetor.
Duke parë emrat, Portugalia mund të konsiderohet pa frikë si një nga skuadrat më të forta të botës. Në mbrojtje do të luajnë futbollistë si Pepe, Paulo Ferreira, Bosingva apo Fernando Meira, ndërsa në mesfushë, veç Dekos dhe Kristiano Ronaldos, janë edhe Mutinjo apo Kuarezma.
Ndeshja mes Portugalisë dhe Shqipërisë do të luhet më 15 tetor, në stadiumin e Bragës, në 21.45 me orën lokale. Ajo do të gjykohet nga një treshe arbitrash gjermanë me kryesor Knut Kirsher.
(a.s/News24/Balkanweb)