E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo ka uri: Fitore me Suedinë dhe Shqipërinë

Altin Latifi 

Do të jetë një Portugali yjesh, kjo nuk ka më dyshime. Lista e publikuar dje nga trajneri Karlos Keiroz ka konfirmuar se Shqipëria më 15 tetor do të ketë të bëjë me një nga skuadrat më të mira të botës. Duke parë emrat, shqiptarët as që duhet të mendojnë se në Bragë kuqezinjtë e Ari Han do të mund të marrin pikë, ndonëse ndeshja e vërtetë vazhdon të konsiderohet ajo me Hungarinë më 11 tetor. Në mbrojtje Pepe, Bosingva, Paulo Ferreira apo Fernando Meira, të japin idenë se askush nuk mund t'i thyejë. Dhe të mendosh që mungon Rikardo Karvajo, simboli i prapavijës portugeze në kohën e Skolarit. Sa i përket mesfushës, askush nuk duhet të ketë dyshime se është më e mira e planetit. Kristiano Ronaldo, Zhoao Mutinjo, Deko, Manike dhe Kuarezma. Pesë emra të frikshëm për këdo skuadër. Në sulm, veç kapitenit Nunjo Gomesh, do të jetë edhe Dani, blerja 30 milionë euroshe e Zenitit në Rusi, si edhe Hugo Almeida, Djalo i Sportingut apo Nani i Mançesterit.
Ronaldo
Ylli i Mançester Junajtid luan ndeshjen e parë me kombëtaren, që prej çerekfinales së kampionatit europian ndaj Gjermanisë. Kristiano Ronaldo ka qenë i dëmtuar dhe i është nënshtruar një operacioni në gju gjatë kësaj periudhe. Pavarësisht kësaj, ai duket se po e merr veten në formacionin e "Djajve të Kuq", madje duke shënuar edhe gola. Dje, ai është shprehur tepër i kënaqur me rikthimin në kombëtare. "Është një gjë e mrekullueshme që rikthehem në ekipin kombëtar", tha Ronaldo në sajtin zyrtar të Federatës Portugeze. "Përpara kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe ne duam të fitojmë. Kemi një grup të shkëlqyer futbollistësh dhe trajnerësh, kështu që unë jam shumë optimist", tha ai. "Kemi një ekip mjaft të fortë për të marrë rezultate pozitive. Duam të arrijmë kreun e grupit sa më shpejt", tha mesfushori i Interit Rikardo Kuarezma, një nga yjet e shumtë të ekipit portugez.
Deko
Në listën e publikuar dje nga trajneri Karlos Keiroz bie në sy edhe prezenca e mesfushorit të Çelsit Deko, i cili vazhdon të jetë i dëmtuar. Tekniku portugez e ka përfshirë atë në listë duke shpresuar se organizatori do të jetë i gatshëm të paktën për ndeshjen më Shqipërinë më 15 tetor. Një gjë e tillë ka shkaktuar edhe reagimin e ashpër të klubit të Çelsit, që nëpërmjet një komunikate për shtyp bëri të ditur se Dekos i duhen ende dy javë kohë për t'u rekuperuar. "Nga diagnostimi i bërë në muskulin e tij, duhen edhe dy javë për t'u rekuperuar plotësisht", sqaroi klubi londinez. Në listë është gjithashtu edhe mesfushori i Atletikos së Madridit, Manike, ndërsa kanë mbetur jashtë sulmuesi Simao Sabrosa dhe mbrojtësi Rikardo Karvajo.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›