Portugezet kunder gjyqtarit turk

Polemikat në Euro 2012 vazhdojnë, edhe tashmë kur do të luhen gjysmëfinalet. Pas akuzave të teknikut italian, Prandeli, se UEFA nuk e ka llogaritur mirë kalendarin, me dy skuadra që pushojnë më tepër se dy të tjerat, polemika e radhës vjen nga Portugalia.
Në prag të sfidës ndërmjet Portugalisë dhe Spanjës, mediat luzitane janë shfaqur të alarmuara për faktin se takimi do të drejtohet nga gjyqtari turk, Zyneit Çakir. Vendimi nuk është pritur aspak mirë, madje akuzat kane qenë të rënda.
“Portugalia është e indinjuar: përcaktimi i gjyqtarit turk, Çakir është alarmant”, ishte titulli i “A Bola”-s, që duke bërë lidhjet theksonte se presidenti i Kolegjit të gjyqtarëve të UEFA-s, Angel Maria Vilar është njëkohësisht edhe president i Federatës Spanjolle, ndërsa zëvendësi i tij, Senesh Erzik është turk dhe mbi të gjitha “mik i Barcelonës dhe Unicefit”, sponsorit të skuadrës “blaugrana”.
E përditshmja tjetër luzitane, “Record” theksonte: “Sa keq që përzgjodhën gjyqtarin turk”, duke bërë të ditur se Federata Portugeze “mund të marrë pozicion kundër këtij vendimi” dhe se “‘seleçao’ i trembej lojës pas kuintave dhe ndikimit të madh që ka Vilar”.
Në gazetën “Record” është hapur edhe një polemikë tjetër. Gjithçka lidhej me deklaratat e mëparshme të Mishel Platinisë, se preferon të shikojë në finale Gjermaninë kundër Spanjës. Këto fjalë nga kreu i UEFA-s janë cilësuar “të papërgjegjshme” dhe të gjithë i tremben përsëritjes së skenarit të vitit 2000, kur nga zyrtarët e Konfederatës Europiane u deklarua se pëlqehej një finale mes Francës dhe Gjermanisë dhe atë ditë portugezët u eliminuan mes polemikave nga francezët.
Ndërkohë, në opinionin sportiv në Portugali kanë nisur edhe deklarata ironike, sipas të cilave “lojtari më i rrezikshëm i Spanjës është pikërisht Mishel Platini”. Kjo për faktin se dëshira e presidentit të UEFA-s, mund të ndikojë në paanshmërinë e gjyqtarit Çakir.