E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portugali-Spanje per finalen

Spanja ndaj Portugalisë është një sfidë që premton “xixa”. Aq më shumë kur luhet në gjysmëfinale të një kampionati europian. “Furitë e kuqe” jepen favorite për të shkuar në finale dhe tradita i ndihmon, por nuk është se kjo Spanjë ka entuziazmuar gjithkënd. Këtë e di mirë edhe trajneri I saj, hijerëndi dhe fisniku Visente Del Boske.  “Nuk duam që të mbetemi në vend. Ne duam që të ecim përpara dhe fitorja e dy trofeve është një provë e cilësive tona. Ne e kemi dashur gjithnjë stilin tonë dhe tani e kemi. Ka njerëz që e nuk e duan, por ky stil na ka sjellë sukses. Natyrisht, do të ishte më mirë nëse rivali do të luante në gjysmëfushën e tij, pasi ne do ta mbanim më lehtë topin, por Portugalia ka alternativa të shkëlqyera, ndaj do të ishte mirë të tregoheshim të vëmendshëm”, vlerësoi Del Boske. Portugezët do të jenë më të fortë se cilado skuadër që ka luajtur deri tani me Spanjën, ndoshta në nivel të afërt me Italinë. Ambiciozë, të talentuar, agresivë dhe me një superyll si Kristiano Ronaldo, që potencialisht është lojtari më i mirë në Euro 2012. Trajneri Paulo Bento nuk fshihet.
“Synimi ynë është kualifikimi për në finale dhe për këtë duhet të sulmojmë menjëherë dhe jo të presim e të humbasim kohë duke u mbrojtur. Duhet të dimë të mbajmë topin ndaj një ekipi që nuk ia ka lejuar këtë gjë të tjerëve. Duhet të kemi kurajë, ndryshe nuk e dominojmë dot ndeshjen. Jam i mrekulluar nga përkrahja në Ukrainë për Kristiano Ronaldon. Sa për gjyqtarin, duhet të besojmë në seriozitetin e tij”, u shpreh Bento. Në fazat finale të turneve të mëdhenj, dy ekipet janë ndeshur 3 herë. Në Botërorin e fundit, më 2010, fitoi Spanja 1-0, në Europianin e vitit 2004 fitoi Portugalia po 1-0, ndërsa në Europianin e luajtur më 1984 në Francë, përfundimi ishte i barabartë, 1-1. Gjithsesi, ia vlen të kujtojmë se përballja e fundit, luajtur në Lisbonë, u fitua 4-0 nga portugezët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›