Lev nuk e mendon hakmarrjen

Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv kërkon fitoren në përballjen me Italinë. Megjithatë, ai garanton se disfata e “pancerave” përballë Italisë në Dortmund, në gjysmëfinalen Botërorit 2006 nuk do të ketë asnjë ndikim në paraqitjen e skuadrës.
“Në futboll nuk ekziston një koncept si hakmarrja. Humbja e pësuar në vitin 2006 nuk mund të kompensohet. Tashmë është një situatë e ndryshme dhe e kaluara nuk ndikon aspak”, u shpreh ai.
Më tej, trajneri i Gjermanisë la të hapur mundësinë që të bëjë ndryshime në skuadrën që do të përballet me Italinë në gjysmëfinalen e dytë të Euro 2012. Mbi të gjitha spikat rivaliteti i madh në repartin ofensiv, ku vetëm Ozil e ka vendin të sigurt në formacion. Klose dhe Mario Gomez janë në balotazh për fanellën e sulmuesit, ndërsa edhe Myler e Podolski janë të rrezikuar nga Shërrle e Rojs, me këta dy të fundit që u aktivizuan në çerekfinale.
“Është e natyrshme që në krahasim me ndeshjen me Greqinë të ketë vend për ndryshime. I kam të 23 futbollistët në dispozicion dhe llogaris edhe shërbimet e Bastian Shvajnshtajger, pavarësisht problemeve që ai ka në kavilje”, sqaroi trajneri Lwv.
Në fund, Lëv ka nënvijëzuar se ndeshja e fituar 4-2 me Greqinë nuk do të jetë pikë referimi për sfidën kundër italianëve, pasi “axurrët” janë një kundërshtar i kalibrit më të lartë.