E Shtunë, 31 Tetor 2026

Post-tragjedia, vendoset "klon kufitar" në Butrint

Tragjedia me 5 viktima në ujërat e kanalit të Butrintit në tentativën për kalimin ilegal në Greqi, rikthen shërbimin policor 24-orësh në lundrën ujore, të vetmin pikëkalim legal që lidh Butrintin me zonën kufitare Xarë-Konispol. 

SARANDE-Kontrollit të imtësishëm të patrullave policore u nënshtrohen të gjithë kalimtarët, ndërkohë që nëse dikush do të shkojë mik në këtë zonë, jo vetëm duhet të deklarojë pritësin, kohën e qëndrimit atje, por duhet që të lerë peng dhe certifikatën apo pasaportën për ta rimarrë në kthim. "Shërbimi i përforcuar në 24 orë është një nga masat e fundit që morëm pas tragjedisë, me synim frenimin e tentimit të kalimit të paligjshëm të kufirit nga grupe klandestinësh apo persona të veçantë", - pohojnë për Gazetën drejtues të policisë lokale.
POSTBLLOKU
Postblloku apo kontrolli "non-stop" tek lundra e Butrintit, në një farë mënyre e ka kthyer zonën Xarë-Konispol në një zonë të kontrolluar nga policia, përafërsisht si klonet e njohura kufitare para vitit 1990. Shërbimi i policisë kufitare në bregun përballë Butrintit vazhdon të jetë i palëvizur, tashmë i përforcuar dhe me postbllok. Madje qytetarët që kalojnë andej për arsye pune dhe sidomos banorët e komunës së Xarës e të bashkisë së Konispolit, thonë se kontrolli po bëhet edhe më rigoroz. Ai ngrihet si një postbllok i fuqishëm për klandestinët, por edhe për njerëz që nuk janë të pajisur me dokumentacionin që u kërkohet. Për çdo kalim në këtë nyje, kontrollohet imtësisht dokumentacioni që vërteton identitetin e personit. "Unë isha tek një mik i familjes në fshatin Shëndëlli, por ndryshe nga herët e tjera, para se të futesha në lundër, policët më kontrolluan dokumentin dhe mbajtën shënime për hollësi të tjera. Më thanë se do ma mbajnë certifikatën e se do e merrja kur të kthehesha. Kështu bënë", - pohon për "Gazeta Shqiptare" 18-vjeçarja Etleva Balla, nga Lushnja.
SHËRBIMI
Por përtej vendosjes së postbllokut 24-orësh në Butrint pas tragjedisë, me synim frenimin e trafikut të klandestinëve, kjo masë nuk vlerësohet rezultative. Jo vetëm për faktin se klandestinët, përfshi dhe ata të tragjedisë së fundit lëviznin nën "hundën" e postës së policisë, por dhe për mungesën e kushteve minimale të personelit policor të shërbimit në këtë pikë. Këtë e konfirmojnë vetë policët e shërbimit, që për shkak të një ndëshkimi nga eprorët, nuk dëshirojnë të identifikohen. Pas këtij "pakti", ata na thanë se janë pothuaj formalisht në këtë shërbim. E para gjë që ata kontestojnë është sistemi 24-orësh i shërbimit (jo me ndërrim çdo 8 orë), që për ta do të thotë një stërmundim i madh me ndikim në cilësinë e kontrollit. Përveç kësaj, policët thanë se në dispozicion të tyre ata nuk kanë asnjë mjet pune. "Na mungojnë radiot e komunikimit, telefonat, një kabinë ku të fusim kokën në shi e në diell. Gjatë 24-orëshit të shërbimit nuk kemi ku të hamë diçka dhe detyrohemi të marrim bukë e domate me vete", -tregojnë policët

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›