E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj: Elektorati i PDR, pemë pa kokrra

Rikthimi i “djalit plangprishës” vazhdon të jetë çështja e ditës në grupin e demokratëve.

Reforma zgjedhore, përplasja me prokurorinë dhe zgjedhjet në PD-në e Tiranës janë sfumuar në gjirin e demokratëve nga çështja “Pollo”.

Deputetët e mazhorancës kanë komentuar dje faktin se sa i nevojitet Partisë Demokratike rikthimi i Genc Pollos dhe Tritan Shehut.

Pendimi i ish-kreut të reformatorëve dhe kthimi në “dashurinë e vjetër”, Partinë Demokratike, ka vazhduar sarkazmën e demokratëve kundrejt PDR-së.

Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, e komentoi rikthimin e Pollos, duke e cilësuar elektoratin e PDR-së si një “pemë pa kokrra” brenda Partisë Demokratike.

“Bashkimi i PD me PDR, ishte një proces që u paralajmërua, dhe ishte agregati i shkrirjes së dy pjesëve të PD-së, të cilat gjatë viteve u shkëputën dhe është hera e parë që në Shqipëri ndodh një gjë e tillë”, u shpreh ai.

Zogaj theksoi se “kjo  parti ka përjetuar një proces ndarjeje dhe tani është në një proces ribashkimi, e cila ilustron politikën e hapjes, që ka nisur që në vitin 2000”.

Në lidhje me efektet elektorale që mund të ketë ky bashkim,  Zogaj shprehet se “ky proces nuk mund të trajtohet si kartë fituese e PD-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009, kartat fituese për PD-në janë realizimi i premtimeve elektorale, për të motivuar zgjedhësit në përgjithësi dhe ato demokratë në veçanti.

Ky proces nuk ka të bëjë shumë me elektoratin, por është një bashkim, që ka të bëjë më shumë me planin psikologjik.

Edhe pse jo shumë entuziast për prezencën e Pollos në selinë blu, një pjesë tjetër e demokratëve e kanë vlerësuar kontributin e ish-ministrit të Arsimit për Maturën Shtetërore dhe për reformat që janë kryer në këtë sektor.  


Ndërkohë që, deputeti Zogaj kërkon që të respektohet statusi i Partisë Demokratike për postet që do të ketë në PD, deputeti Sali Shehu vlerëson kontributin e Genc Pollos si aleat i Partisë Demokratike.

Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ndonëse jo shumë entuziast, ka aprovuar rikthimin e Pollos në Partinë Demokratike pas largimit të bujshëm të vitit 1999-të.

“Pollo u kthye në shtëpi”, u shpreh shkurt Gjana. Megjithëse në mënyrë sipërfaqësore, deklaratat e mazhorancës duken si të ngrohta, ato kanë në thelb ironinë dhe një mospajtim për largimin e bujshëm që bëri PDR në 1999-ën, duke i sjell përçarjen demokratëve në prag të zgjedhjeve të atëhershme elektorale.

Brenda tremujorit të parë të vitit 2009-të, Partia Demokratike do të zhvillojë zgjedhjet në selinë blu dhe aty do të rishikohet edhe pozicioni i ish-reformatorit Pollo në PD.

Deklaratat e fundit nga brenda kampit blu tregojnë se Pollo duket se nuk është pritur krejt “krahëhapur” brenda kampit të mazhorancës.  
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›