E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posta: Janë shitur 14 mijë kuponë 200-lekësh



Ulja e çmimit të kartës së identitetit në 2 mijë lekë të vjetra ka sensibilizuar shtetasit pa pasaportë, që të nxitojnë për të përfituar nga ky çmim që do të jetë i vlefshëm vetëm për këtë kategori deri në fund të qershorit. Sipas njoftimit të djeshëm të Postës Shqiptare, ka shkuar në 14 mijë numri i shitjes së kuponëve 200-lekësh për shtetasit që nuk disponojnë pasaportë. Kjo do të thotë që ajo pjesë e mbetur e kësaj kategorie që është afro 400 mijë, ka të gjitha shanset që të pajiset me karta deri në prag të zgjedhjeve. Ky është dhe i vetmi ngërç i këtij procesi, pasi personat që kanë një pasaportë të vlefshme mund të votojnë dhe pse s’kanë marrë kartë identiteti. Ndërkohë Posta Shqiptare njofton se ka nisur dhe rimbursimi i kategorive të veçanta për çmimin e kartave. Numri i tyre ka vajtur deri më tani në 47 mijë, të cilët janë pensionistë dhe përfitojnë rimbursim të gjysmës së çmimit të plotë të kartës, që është 12 mijë lekë të vjetra. Ndërkaq në zyrat e Postës Shqiptare po realizohet dhe një proces tjetër që ka të bëjë me identifikimin e njerëzve që s’kanë emrat në listën e zgjedhësve. Rreth 6 mijë është numri i qytetarëve që nuk kanë gjetur emrat në listën e marra nga Ministria e Brendshme dhe kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit, duke bërë kështu një hap të duhur për të bërë të mundur futjen e emrit në listë. Sipas Postës Shqiptare, “procesi i pajisjes së qytetarëve me kuponë, me qëllim aplikimin për letërnjoftimin elektronik po ecën shumë mirë në të gjitha sportelet e Postës Shqiptare në shkallë vendi. Punonjësit e shërbimit postar janë në gatishmëri në shërbimin 2-turnësh çdo ditë të javës për të gjithë qytetarët e interesuar, por sidomos për kategorinë përfituese (shtetasit pa pasaportë) në zbatim të VKM dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave”. Më tej, posta bën një ekspoze shifrash për ecurinë e punës, duke shtuar se “edhe pse fundjavë dhe ditë pushimi, vetëm dje janë mbi 5 mijë qytetarë përfitues nga VKM, të cilët nuk kanë pasaportë, kanë preferuar të tërheqin kuponët 200-lekësh”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›