PD, Mëhilli: Rama, i tmerruar nga mitingjet e Berishës
PD-ja e cilësoi dje xhelozi verbuese të PS-së, faktin që qeveria po investon në mbarë vendin dhe se Edi Rama po ndjen tmerr nga mitingjet e suksesshme të Kryeministrit Berisha. PD-ja vlerësoi dje se inaugurimi i rrugës Belsh-Kuçovë, një investim prej 600 milionë lekësh, është ngjarje e gëzueshme për të gjithë, ndërsa "PS është e shqetësuar se po ndërtohen rrugë të reja". Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, reagoi pas deklaratës së kryetares së Komisionit të Edukimit në Asamblenë Kombëtare të PS, Ledi Shamku, në Belsh “se shkollat janë kthyer në kazerma rekrutimi”, duke nënvizuar se “se ndërtimi i kësaj rruge është një ngjarje e gëzueshme për të madh e të vogël, për të gjithë qytetarët e kësaj zone”. "Anëtarja e sh.p.k-së së ndërtimit të Edi Ramës, në fakt do të ishte më mirë të thoshim e Studio “Shkrelit”, doli sërish e tmerruar nga mitingu që Kryeministri Berisha zhvilloi në Dumre, ku u inauguruan punimet në rrugën Belsh-Kuçovë, dhe denoncoi, sipas saj, pjesëmarrjen e nxënësve në këtë ditë pushimi në këtë takim", - pohoi Mëhilli. Sipas saj, “shqetësimi i PS-së, se po ndërtohen rrugë të reja, se janë investuar vetëm në këtë zonë, nga 12 milionë lekë të mbledhura së bashku në 8 vjet të qeverisjes tuaj, 1 miliard e 222 milionë lekë vetëm gjatë këtyre 3 viteve, i ka zhytur sot në një xhelozi verbuese”. Zëdhënësja e PD-së u shpreh se “në këtë zonë janë ndërtuar, apo janë në ndërtim 42 kilometra rrugë kundrejt vetëm disa kilometrave rrugë që janë ndërtuar në Tiranë”.