E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, premtime biznesit fason



Lideri i LSI-së, z. Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të shoqatës së biznesit fason. Ky takim vjen pas disa vizitash, që ai ka zhvilluar në disa fabrika të fasonëve (me material porositësi), biznese që kanë të punësuar më shumë se 100 mijë shqiptarë, kryesisht gra dhe vajza. Lideri i LSI-së është shprehur në mënyrë koherente se këta biznese në kushtet aktuale të krizës kanë nevojë për lehtësira nga shteti, që të mos falimentojnë. Duke marrë fjalën në këtë takim, Meta u shpreh se “është kënaqësi që të takohem me përfaqësues të industrisë që punon me material porositës, apo siç njihen ndryshe të fasonit”. Meta tha se “ne kemi dalë prej kohësh me propozime konkrete për të lehtësuar vështirësitë financiare, në të cilat ju ndodheni sot që të vijoni aktivitetin tuaj dhe që të ruani këto vende pune”. Duke sqaruar këto propozime, ai vijoi se ato kanë të bëjnë me heqjen e tatimit mbi fitimin deri në dhjetor të vitit 2010, që kanë të bëjnë me subvencionimin e sigurimeve shoqërore në masën 50 për qind deri në fund të vitit 2011, dhe njëkohësisht edhe të sigurimeve shëndetësore dhe njëkohësisht që kanë të bëjnë me subvencionimin 100 për qind të sigurimeve shoqërore për çdo vend të ri pune që do të krijohen në këtë periudhë krize.

“Gratë për fitore”, Topalli takon nënat

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, krijoi dje një atmosferë festive në ambientet e kryesisë së Parlamentit me rastin e 9 majit, Ditës Ndërkombëtare të Nënës. Ajo u takua me nëna, artiste, këngëtare, shkrimtare e mësuese nga ku uroi festën e tyre. “Është festa më e bukur, është festa më e ëmbël, është festa më madhështore. Është dita e nënave tona. Gëzuar festën të dashura nëna! Gëzuar të gjithave! Gëzuar fëmijëve, për nënat e tyre të mrekullueshme! Prehri i nënës është akademia më e madhe e botës. Unë këtë e besoj plotësisht. Nëna është mësuesja më e mrekullueshme, është mësuesja e dashurisë, është mësuesja e dhembshurisë, nëna është ajo që e ndjek fëmijën e saj, që kur fillon të hedhë hapat e para, dhe, pastaj, duke u dridhur kur forcon hapin. Pastaj kujdeset se mos gabon. Pastaj duke i forcuar shpirtin”, - tha Topalli. Nëna nuk dorëzohen kurrë, - tha zonja Topalli, ndërsa ritheksoi se gratë janë demokratë, një shprehje të cilën ajo tashmë e ka pjesë të turit të saj “Gratë, për fitore”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›