Kongresmeni Engel viziton Durrës-Kukës: Berisha, si Eisenhouer
Pasi ka udhëtuar me helikopter mbi projektin gjigant, rrugën Durrës-Kukës, që depërton mes maleve të larta, kongresmeni amerikan, Eliot Engel, ka parë nga afër të paimagjinueshmen. E jashtëzakonshme! Kështu u shpreh ai sapo vuri këmbët mbi atë që i kujtoi projektin e ish-presidentit Eisenhouer për një sistem kombëtar autostradash. Ndaj, kongresmeni amerikan nuk nguroi të gjejë ngjashmërinë mes Kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidentit Eisenhouer. “Mbaj mend nga fëmijëria ime në Nju Jork, gjatë kohës së Presidentit Eisenhouer, ai vendosi të ndërtonte një sistem kombëtar autostradash, me rrugë që do të lidhnin çdo cep të Shteteve të Bashkuara. Ky projekt më kujton pikërisht këtë. Kjo është me të vërtetë një rrugë që do e çojë Shqipërinë drejt së ardhmes”, - deklaroi z. Engel. Njeriu që loboi fuqishëm për çështjen e pavarësisë së Kosovës në kongresin amerikan, ndihet i kënaqur që Shqipëria mundi të realizojë ëndrrën e dyfishtë për Kosovën, ndërtimin e rrugës kombëtare “Durrës-Kukës”. Sipas tij, “ndërtimi i kësaj autostrade e vë Shqipërinë në top-listën e vendeve të rajonit për pozicionin e rëndësishëm strategjik”. Ai foli për impresionet dhe befasinë e asaj çfarë pa nga afër, duke u shprehur i befasuar edhe pas asaj çfarë Kryeministri Sali Berisha i kishte treguar në takimin dypalësh në selinë qeveritare. “Pamë gjëra dhe vende që nuk mund t’i imagjinonim dot. Pamë gjithçka, punën që po bëhet në këto male dhe është e pabesueshme. Mendoj se ky projekt është i mrekullueshëm dhe tregon për një vizion të jashtëzakonshëm. Kur Kryeministri po më tregonte për këtë dje, nuk e imagjinoja dot se sa bukur do të ishte. Dua të uroj popullin e Shqipërisë, Kryeministrin dhe zyrtarët e qeverisë, sepse mendoj se ky projekt është shumë i mirë dhe do t’i sjellë Shqipërisë një të ardhme me të vërtetë”, - deklaroi kongresmeni amerikan. Engel vuri në dukje se nga kjo rrugë nuk do të përfitojë vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni. Ai pohoi se do e bëjë Shqipërinë një qendër progresi në rajon. “E dimë, - tha Engel, - që rruga do të shkojë deri në kufirin me Kosovën dhe mendoj se do të ketë një vazhdimësi të saj përtej këtij kufiri”. “Jam i befasuar, sepse kur mendon se sa shumë punë duhet për të bërë diçka si ky projekt të mundur, punëtorët, materialet, logjistika e përdorur, tregon se kjo është një sipërmarrje e jashtëzakonshme dhe përfshin një vizion për të ardhmen”, - u shpreh z. Eliot Engel. Por gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai vizitoi edhe Shkodrën, ku u takua me drejtuesit lokalë të qytetit. Nga qyteti verior i vendit, pak më shumë se një vit nga pavarësia e Kosovës, Eliot Engel u rrëfye për atë që edhe vetë nuk e besonte, pavarësinë e Kosovës dhe më pas lobimin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. I njohur si një politikan që ka lobuar në Kongresin Amerikan për çështjen shqiptare, z. Engel pohoi se është njohur nga afër me punimet në autostradën Durrës-Kukës në këtë vizitë të fundit në Shqipëri, teksa shtoi se “ndiej kënaqësi të madhe teksa shoh këtë arterie, ëndërr të Kosovës, të realizohet”. Kongresmeni Engel falënderoi popullin shqiptar dhe Kryeministrin Sali Berisha, që po e bëjnë të mundur këtë investim, pavarësisht kostos që ka. Ai kujtoi se për herë të parë e ka vizituar Shqipërinë 16 vite më parë, duke qenë ndoshta i pari politikan amerikan që vizitonte këtë vend pas erës postkomuniste. “Në atë kohë thosha që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbështesin fuqimisht Shqipërinë për hyrjen në NATO, sikurse kam deklaruar që vendi ynë do të japë një ndihmë të madhe në pavarësinë e Kosovës. Dhe tani pas kaq kohësh, rrëfej se dhe unë vetë nuk isha shumë i bindur për atë që kam deklaruar. Sot pas 16 vjetësh, vërej se kisha të drejtë dhe gjithçka e realizuar, si hyrja e Shqipërisë në NATO, ashtu dhe Pavarësia e Kosovës, ishin procese të pashmangshme”. Duke u ndalur tek miqësia dhe mikpritja e shqiptarëve, ai u shpreh se "në Nju Jork, ku kam fatin të jem kongresmen, ka shumë shqiptarë, më shumë se në çdo shtet tjetër. Atje mes shqiptarëve jam si në shtëpinë time, sikurse kur vij në Shqipëri ndihem po aq mirë sikurse në Nju Jork. Tashmë shoh që gjërat ecin mirë, po punohet me hapa konstante drejt një progresi të merituar për shqiptarët. Dhe për këtë ndiem po aq i lumtur sikurse për vendin tim". Në takimin me drejtuesit e qeverisjes vendore të Shkodrës, kongresmeni amerikan u njoh me resurset e qytetit dhe qarkut në përgjithësi. “Kjo është vizita ime e dytë në Shkodër dhe vërej me kënaqësi që ka zhvillime pozitive. Është qytet i mrekullueshëm, që ka kaq shumë burime dhe mundësi zhvillimi”, - tha kongresmeni amerikan.