Njerëzit e rinj të PD-së
Demokratët me votën e tyre kanë sjellë një tjetër ndryshim brenda partisë, që më 28 qershor synon mandatin e dytë qeverisës. Përmes votës, anëtarësia e PD-së në bazë ka mbështetur për drejtues të rinj lokalë vlera të reja, përfaqësuesit dinjitozë të shoqërisë civile, ndërsa ka konfirmuar qëndrestarët e kësaj partie. PD-ja dje mbylli zgjedhjet e brendshme në rrethe, duke i hapur rrugën zgjedhjeve në degën më të madhe, atë të PD-së së Tiranës. Lista e drejtuesve të rinj të PD-së ka pësuar ndryshime, pasi janë votuar më së shumti prurjet e reja në këtë parti. Është vetë anëtarësia e PD-së ajo që ka preferuar një frymë të re, e cila para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, nisi prej muajsh që në bazën e partisë. Zgjedhjet në degën e Kavajës, ku në krye të saj u zgjodh një mjek, Hysen Arkaxhiu, përmbyllën procesin e ristrukturimit të PD-së. Të zgjedhurit e rinj u përkasin të gjitha fushave teksa dominojnë akademikët, profesorë, mjekë, inxhinierët, ekonomistë etj. Angazhimi i këtyre individëve, që tashmë gëzojnë besimin e plotë të anëtarësisë së Partisë Demokratike, vjen në një moment kur PD-ja provon një tjetër garë, shumë herë më të rëndësishme, atë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Por zgjedhja e njerëzve të duhur, do t’i shërbejë tërësisht fitores së demokratëve në zgjedhjet e afërta të përgjithshme. Bashkë me grupet e punës të caktuara nga kryesia e qendrës janë krerët lokalë ata që do të përgatisin terrenin politik që e djathta të ketë të sigurt mandatin e ri katërvjeçar. Por ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, drejtuesit e sapozgjedhur të PD-së nuk kanë të drejtë të kandidojnë për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit. Dhe për këtë, ata janë të ndërgjegjshëm, ndaj do të jenë tërësisht të angazhuar për fushatën elektorale të PD-së. Me mbylljen e zgjedhjeve në bazë, kryesia e kësaj partie pritet të caktojë dhe datën kur do të mbahet konferenca e PD-së së Tiranës. Aktualisht kanë mbetur për të bërë zgjedhje vetëm dy seksione, të cilat do të mbyllen fillimin e javës që vjen. Fill pas këtij momenti, do të mblidhet kryesia për datën e zgjedhjeve në Tiranë, të cilat janë paralajmëruar që do të zhvillohen para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Për kreun e PD-së së Tiranës, konkurrojnë shumë kandidatura, por duket se më e mundshmja është ajo e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi.
Box
Kryetarët e PD-së në rrethe
1.Shkodër Astrit Bushati
2.Durrës Igli Cara
3.Elbasan Luciano Boçi
4.Fier Ferdinand Murati
5.Kavajë Hysen Arkaxhiu
6.Vlorë Ardian Kollozi
7.Sarandë Ylli Pirro
8.Delvinë Dhurim Alinani
9.Kukës Ibsen Elezi
10.Dibër Naim Gazidede
11.Korçë Gjergj Papa
12.Kolonjë Viktor Durro
13.Devoll Gëzim Dunkolli
14.Kuçovë Fadil Mara
15.Përmet Arjan Kacaj
16.Shijak Dardan Domi
17.Tepelenë Bujar Kapllani
18.Peqin Mustafa Pashnja
19.Gjirokastër Altin Kokalari
20.Berat Arenc Berati
21.Lezhë Zef Gjoka
22.Tropojë Kujtim Dushaj
23.Mirditë Gjovalin Prenga
24.Patos Miti Tapia
Zgjedhjet, më 13 maj PBDNJ vendos për koalicionin
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka ende të pazgjidhur dilemën se me cilin koalicion do të krijojë aleancë parazgjedhore, duke kërkuar kohë për një vendim përfundimtar deri ditën e martë. PBDNJ hapi dje në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, fushatën elektorale me sloganin “Me frymën e së ardhmes”. Duke iu referuar koalicioneve që PBDNJ do të bëjë në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, kryetari Vangjel Dule bëri të ditur se “na duhet ende kohë për t'u konsultuar me strukturat drejtuese të PBDNJ-së dhe organizatës OMONIA, për të përcaktuar koalicionin në të cilin do të bëjmë pjesë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit”. Kryetari i PBDNJ-së vuri në dukje se “sot është dita e Evropës së Bashkuar dhe nuk mund t'i shkonte ditë tjetër më për shtat për të çelur fushatën elektorale partisë sonë, për betejën e 28 qershorit, pasi ne kemi qenë gjithnjë në vijën e parë të përpjekjeve të evropianizimit të vendit”. Sipas tij, me anëtarësimin e vendit në NATO u mbyll një cikël i stërzgjatur për integrimin euroatlantik të Shqipërinë, dhe PBDNJ, që nga dita e themelimit të saj, ka qenë në vijën e parë të përpjekjeve edhe me faktorin ndërkombëtar, që Shqipëria të bëhej pjesë e familjes së madhe evropiane, në të cilën natyrisht ka qenë pjesë, por që padrejtësisht gjatë regjimit komunist iu mohua”. Por pavarësisht nga masiviteti dhe rëndësia e këtij kongresi për PBDNJ-në, ai nuk mori vendim për pjesëmarrjen në ndonjë koalicion duke e lënë këtë çështje për disa dite më vonë.
PBDNJ ka vendosur të deklarojë se cilit koalicion do t'i bashkohet me datën 13 maj që është dhe kufiri i fundit kohor për deklarimin e koalicioneve. Më shumë se një mungesë qartësie dhe vendosmërie në këtë drejtim mbetet dhe fakti se sistemi i ri zgjedhor përcakton se partitë pjesëmarrëse në koalicion janë më shumë të favorizuara se partitë që dalin vetëm në zgjedhje, çka i bën të pamundur PBDNJ-së që të ndjekë traditën e mëparshme; pavarësisht se me kë radhitej para zgjedhjeve, pas tyre ajo e kishte të garantuar vendin në qeveri.
Ruli: Duam më shumë gra në PD
Partia në pushtet mbështet aktivizimin e grave në politikë dhe u siguron atyre garë të drejtë dhe të barabartë me burrat politikanë. Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, pohoi dje gjatë një takimi me gratë e Gjirokastrës se “PD-ja dhe qeveria kanë mbështetur vazhdimisht integrimin e gruas në zhvillimet moderne të shoqërisë shqiptare, aq më tepër në jetën politike”. Sipas tij, ky integrim do të arrinte nivelin e duhur, nëse përfshirja e gruas në jetën politike nuk do të bëhet thjesht në mënyrë mekanike me numra dhe përqindje, por duke realizuar një proces real për rritjen e pranisë së gruas në jetën politike. Z. Ruli shprehu mbështetjen që kjo organizatë ka dhënë në zgjedhjet e 2005-ës si dhe besimin se edhe në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ajo do të përsëritet sërish. Ai përmendi disa prej arritjeve kryesore që qeveria ka realizuar në këtë mandat 4-vjeçar, ku vend të veçantë, që lidhet edhe me pozicionin social të femrës zënë edhe realizimet e qeverisë në arsim dhe shëndetësi. "Pavarësisht se Shqipëria do të përballojë koston financiare të mbrojtjes pas anëtarësimit në NATO, sërish buxheti i shtetit do të financojë për arsimin dhe shëndetësinë, madje ai do të pësojë rritje në të ardhmen", - u shpreh ministri Genc Ruli.