E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Blesh, nxënësit "mësim" edhe të shtunën

Nxënësit e Belshit dhe komunave përreth, janë detyruar dje të marrin pjesë në mitingun e Kryeministrit


"Kjo politikë, pavarësisht denoncimeve tona dhe të medieve, i ka kthyer shkollat në kazerma rekrutimi"


Megjithëse e shtuna, me ligj, është një ditë pushimi, nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të gjimnazit të qytezës së Belshit dhe rrethinave të tij, janë detyruar të paraqiten, si çdo ditë tjetër, në ambientet e mësimdhënies. Por, kësaj here, jo për t'u ulur në bankat e shkollës, por për të mbushur, kundër dëshirës së tyre, një nga sheshet e Belshit, ku Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka zhvilluar një nga takimet elektorale të radhës.


Vizita
Në kuadër të fushatës së tij paraelektorale, kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka bujtur dje në komunat e Dumresë dhe në Bashkinë e Belshit, ku dhe ka marrë pjesë në disa inaugurime dhe përurime të disa punëve publike që qeveria e tij ka bërë, ose ka premtuar të bëjë, në rast se do të rikonfirmohet edhe një herë për katër vitet e ardhshme si forca e parë në vend gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Por, strukturat e PD-së në bazë, ashtu si edhe simotrat e tyre në rrethet e tjera, e kanë patur të vështirë që të krijonin atmosferën e duhur të mikpritjes së liderit të tyre me militantë partiakë. Për këtë arsye, ashtu siç edhe është bërë traditë tashmë në të tilla takime, zgjidhja është gjetur tek nxënësit dhe mësuesit e shkollave dhe të institucioneve të tjera shëndetësore. Nuk bëhet fjalë për një pjesëmarrje kureshtare të tyre në këtë aktivitet politik, por për një urdhër gojor që drejtuesit e institucioneve arsimore të këtij qyteti u kishin dhënë dy ditë më parë arsimtarëve të këtyre shkollave, për të nxjerrë nxënësit në mësim edhe ditën e shtunë. Madje, siç bëjnë të ditur dhe dëshmitarë të këtyre zhvillimeve në bazë, për të sjellë nxënësit nga fshatrat përreth, në Belsh ishin vënë në dispozicion edhe autobusë të posaçëm. Asgjë nuk do të kishte bërë përshtypje në rast se një gjë e tillë do të ndodhte në një ditë normale pune edhe për shkollat, pasi një fenomen të tillë e kemi parë shpesh kohët e fundit edhe në takimet e tjera që zhvillojnë zakonisht drejtuesit e mazhorancës, prej nga varen direkt këto institucione. Burime nga Belshi bëjnë të ditur se shumë mësues që nuk kanë pranuar të dalin në punë në këtë ditë për të marrë pjesë në këto takime, janë kërcënuar nga drejtuesit e tyre me largim nga puna. Ndërkohë që drejtuesit e këtyre shkollave kanë justifikuar nxjerrjen e nxënësve edhe në këtë ditë pushimi, me faktin se do të bënin disa orë mësimi të prapambetura.


Opozita
Ndaj këtij fenomeni abuziv me pushtetin kanë reaguar edhe prindërit e nxënësve, të cilët menjëherë sapo janë vënë në dijeni nga fëmijët e tyre lidhur me këtë urdhër, janë përpjekur që të sensibilizojnë opinionin e gjerë me këtë shqetësim. Ata kanë paraqitur një sërë ankesash edhe në zyrat e PS-së, dega Belsh, për përdorimin e fëmijëve të tyre ditën e shtunë, për mitingun e Kryeministrit Sali Berisha. Në përgjigje të këtij shqetësimi, dje, në të njëjtën kohë kur Kryeministri i vendit zhvillonte takimin e vet elektoral, në Belsh ka qenë e pranishme edhe anëtarja e kryesisë së PS-së, Ledi Shamku, e cila është njohur nga afër me këtë fenomen. Ajo ishte pranë një shkolle ku ishin vendosur autobusë për të marrë nxënës të klasave që nga 5 e deri te maturat për të qenë dekor i fjalimit të Berishës. Duke folur pranë një autobusi me nxënës të shkollës 9-vjeçare, që niseshin për në mitingun e Kryeministrit, Ledi Shamku ka akuzuar Kryeministrin se po abuzon me fëmijët e shkollave dhe me mësuesit e tyre. "Sot (dje), në këtë komunë dhe në këtë bashki, apo në komuna të tjera, bëhet mësim me urdhër, për arsyen e vetme se Sali Berisha vjen të përurojë fillimin e punimeve në një rrugë rurale. Ky obsesion i këtij njeriu për t'u rrethuar nga turma, pa e vrarë fare ndërgjegjja se këto turma janë më së shumti fëmijë, ka bërë që t'i mbledhë, t'i nxjerrë nga dita e pushimit, t'i dhunojë nga e drejta e vet, t'i nxjerrë dhe t'i mbledhë në shkolla për arsyen e thjeshtë, sepse shkolla për të shërben si pikë mbledhjeje dhe detyrimi për t'i dërguar këta fëmijë dhe mësues në mitingjet e veta. Kjo politikë kaq e mbrapshtë, që zgjat prej shumë kohësh, pavarësisht denoncimeve tona, të shoqërisë civile, të Avokatit të Popullit dhe mediave të lira, i ka kthyer shkollat, fatkeqësisht, në kazerma rekrutimi", - tha Shamku. Për këtë qëllim, strukturat e PS-së së Belshit kanë shtypur dhe shpërndarë në takimin që ka zhvilluar Kryeministri, disa broshura, ku shkruanin: "Si guxon të heqësh fëmijët tanë nga shkolla?".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›