E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katarsisi, si detyrim elektoral i PD-së



Nga Nebil Çika

Një përfaqësues tjetër ndërkombëtar, përfaqësuesi i presidencës aktuale të BE-së, ministri për Zhvillim Rajonal të Çekisë, Cyril Svoboda, i bëri thirrje Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Drejtësisë, Alibeaj, që Shqipëria të mos heqë dorë nga ligji për krimet e komunizmit, i njohur ndryshe si “Ligji i lustrimit”. Kjo mbështetje evropiane në përpjekjet e mbetura në tentativë të mazhorancës së djathtë për pastrimin e politikës dhe administratës së shtetit shqiptar nga të implikuarit në krimet e komunizmit përbën pa dyshim një shtysë të fortë që ligji në fjalë të jetë një nga prioritetet e mandatit tjetër qeverisës të PD-së. “Çdo e keqe pasohet nga një e mirë”, - thotë një proverb. Në këtë këndvështrim, “ngrirja” e ligjit nga Gjykata Kushtetuese mund të shfrytëzohet nga PD-ja për të krijuar kushte më të favorshme politike për zbatimin në mandatin e dytë të këtij ligji kaq të domosdoshëm për politikën, administratën dhe krejt shoqërinë shqiptare. Momenti parazgjedhor i jep të gjitha mundësitë z. Berisha të demonstrojë vullnetin politik dhe seriozitetin e duhur për realizimin e pastrimit të domosdoshëm të politikës dhe administratës shqiptare. Mendoj se hapi i rëndësishëm dhe i domosdoshëm do të ishte filtrimi paraprak i kandidaturave për deputet si dhe strukturave të larta drejtuese të PD-së. Ky veprim do të garantonte një mazhorancë sa të papërfolur aq edhe të aftë për të realizuar me seriozitet dhe dëshirë aksionin e pastrimit politiko-administrativ të vendit. Nuk mund të pretendohet për ndonjë përqindje të madhe të personave që mund të preken nga ligji në forumet politike dhe elektorale të PD-së, por gjithsesi, filtrimi paraprak do të garantonte një mazhorancë të pastër që do të ishte pa dyshim një kartë e fortë elektorale e PD-së përballë një kundërshtari politik të lidhur pazgjidhshmërisht me krimin komunist. Por jo vetëm kaq, e djathta duhet të përpiqet të garantojë një grup parlamentar dhe lidership politik qartësisht korrekt me ligjin e pritshëm të lustrimit dhe efektet e tij. Nuk do të kishte asnjë kuptim, madje do të ishte e turpshme, nëse nesër, pas zbatimit, ligji do të “digjte” qoftë edhe një person nga trupa elektorale apo drejtuesit e lartë politikë të PD-së. Në krahasim me zgjedhjet e 2005-s, ku PD-ja futej në garë e kushtëzuar nga një realitet politiko-elektoral i kontrolluar nga kundërshtarët e saj, sot Berisha i ka të gjitha mundësitë të bëjë një “katarsis” të plotë të përfaqësimit politik dhe elektoral të PD-së. Jam i bindur se z. Berisha i ka të gjitha mundësitë të verifikojë të kaluarën e njerëzve që do të listojë përpara elektoratit si asetet njerëzore të PD-së. Natyrisht, nuk dyshoj as te vullneti politik për ta bërë një gjë të tillë dhe duke llogaritur edhe lehtësirat që pritet të vijnë nga një vendim i tillë në realizimin e pritshëm të lustracionit, besoj se kjo çështje do të jetë një prioritet paraelektoral i PD-së.

Nuk besoj se partia më e madhe antikomuniste duhet të presë ligjin për të pastruar veten nga infiltrime të mundshme të të implikuarve në krimet e komunizmit. Një vetëpastrim paraprak do të ishte një sinjal i qartë jo vetëm për elektoratin, por edhe për kundërshtarët politikë dhe krejt shoqërinë shqiptare. Është detyrë më shumë se politike e PD-së që të kërkojë, madje të detyrojë shkëputjen nga krimi komunist të krejt politikës shqiptare, përfshi edhe kundërshtaren e saj politike, PS-në. Dua të kuptohemi për faktin se po këmbëngul në idenë e pastrimit vullnetar vetëm tek PD dhe e djathta, pasi e konsideroj si detyrim e prioritet politik të saj. Mund ta kisha përgjithësuar duke fokusuar krejt klasën politike shqiptare, por me zhvillimet në partitë majat , sidomos në PS, dhe pas qëndrimin në bllok të opozitës kundër ligjit për krimet e komunizmit, as që mund të mendohet një katarsis prej saj. Si në të gjitha post-diktaturat, edhe në Shqipëri, shkëputja e shtetit dhe politikës nga krimi me anë të dhunës së ligjit është e vetmja rrugë në dispozicion. Realizimi i këtij misioni është një nga detyrat historike të PD-së dhe element i pazëvendësueshëm jo vetëm i besimit dhe motivimit të elektoratit për ta rivotuar, por edhe i krejt ekzistencës politike dhe elektorale të saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›