Rama mobilizon policët e liruar në prag të zgjedhjeve
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka zgjedhur njerëzit e gabuar në takimin e djeshëm, për të prezantuar strategjinë e tij elektorale për policinë. Ai është takuar me punonjës të liruar të policisë, të cilëve në mënyrë të tërthortë u ka premtuar rikthim në strukturat e policisë nëse vjen në pushtet. Ky takim në një situatë parazgjedhore mund të përkthehet mjaft mirë dhe si një mobilizim i këtij kontingjenti në prag të zgjedhjeve parlamentare. Jo pak prej ish-policëve që ishin dje në takim janë larguar nga detyra për shkak të ndërhyrjes në procese të mëparshme zgjedhore. Para se të shkonte në takim duket se Rama nuk ka marrë më parë një listë të arsyeve pse këta policë, që sot po kërkojnë shpresë tek e majta, janë pushuar nga puna. Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, shumica e tyre janë larguar nga detyra me një dosje të errët, për arsye të korrupsionit, të prishjes së procesit zgjedhor ose bashkëpunimit me kriminelët. Një pjesë tjetër, për paaftësi. Atëherë duket se Rama është treguar ndoshta i pavëmendshëm, që bën politika me këtë kategori, ose më keq akoma, ka qenë e qëllimshme duke premtuar për standarde të dyshimta të policisë. Rama ka folur para tyre për dinjitetin e policit, duke mos marrë parasysh se pikërisht disa prej tyre e kishin njollosur këtë dinjitet dhe figurë të punonjësit të shtetit. “Dinjiteti dhe figura e punonjësit të policisë duhet të ringrihet. Çdo punonjës policie duhet të përfaqësojë denjësisht shtetin, nuk mund të vazhdohet me diskreditimin e figurës së punonjësit të policisë, duke bërë që sa herë të ndërrohet pushteti, të militantizohet sipas ngjyrave të tij, kjo strukturë shumë e rëndësishme për jetesën në siguri të qytetarëve”, - tha ai. Ai u ka shpjeguar ish-punonjësve të policisë programin e tij për rendin dhe sigurinë publike, duke premtuar se nëse ai vjen në pushtet, do të ketë një polici, Policia e Shtetit. Sipas kësaj teze të kreut socialist, do të hiqen të gjitha uniformat e tjera policore.