E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posta Shqiptare premton angazhim në zbatimin e vendimit të Qeverisë

Në zbatim të vendimit të qeverisë bazuar dhe në udhëzimin e Ministrisë së Financave. lista e shtetasve që nuk disponojnë pasaportë marrë nga Ministria e Brendshme është shpërndarë në të gjithë zyrat postare në shkallë vendi. Posta Shqiptare është e angazhuar totalisht në zbatimin e vendimit të qeverisë për pajisjen me kupona të shtetasve që nuk kanë pasaportë, por edhe për kompensimin e kategorive përfituese të përcaktuara me VKM, kompensim i cili do të paguhet në zyrat postare. Zyrat Postare njëkohësisht vazhdojnë të jenë të hapura në shërbimin me dy turne dhe për pjesën tjetër të qytetarëve të cilët duan të aplikojnë për letërnjoftim elektronik dhe vazhdojnë të jenë të hapura dhe të shtunë e të diel me qëllim që të gjithë të mund të marrin kuponin dhe të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik. Posta Shqiptare ka angazhuar tërë strukturën e saj për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave mbi procedurat e pajisjes së shtetasve pa pasaportë që nuk përfitojnë kompensim nga vendimi i qeverisë për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë. Brenda një kohe rekord nga marrja e udhëzimit nga Ministria e Financave ditën e hënë, strukturat e Postës Shqiptare kanë punuar deri në orët e vona të mbrëmjes së hënë, me qëllim përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme në të gjithë rrjetin postar për shpërndarjen e kuponëve sipas këtij vendimi. Janë printuar tashmë të gjitha listat e personave pa pasaportë të ardhura nga Ministria e Brendshme të cilat janë shpërndarë në të gjitha zyrat postare të qyteteve sipas njësive administrative dhe procesi i shpërndarjes së këtyre listave nëpër komuna e fshatra fundore është kryer plotësisht. Brenda ditës së djeshme, të 551 zyrat postare deri në skajin më të largët të vendit janë të gatshme të ofrojnë shitjen e kuponëve të shtetasve pa pasaporte sipas vendimit të qeverisë. Ndërkohë vlen për tu theksuar se listat e personave pa pasaportë të cilët përfitojnë kuponin duke arkëtuar fillimisht 200 lekë sipas vendimit të qeverisë ndodhen në zyrat postare sipas njësive të qeverisjes vendore (minibashkive). Pra qytetarët të cilët nuk kanë pasaportë duhet të paraqiten pranë zyrave postare të njësive administrative ku banojnë dhe janë të regjistruar. Nga ana tjetër, në zyrat postare në të gjithë Shqipërinë janë shitur mbi 800 mije kuponë për letërnjoftim elektronik si dhe rreth 7 mijë kuponë për pasaporta biometrike. Gjithashtu, janë kompensuar mbi 30 mijë pensionistë që përfitojnë nga skema e kompensimit për pajisjen me letërnjoftim të shtetasve në nevojë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›