E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posta Shqiptare hedh në treg certifikatën e sigurisë elektronike

TIRANË- Posta Shqiptare hedh në treg produktin e ri, certifikatën e sigurisë elektronike, për qytetarët, bizneset dhe institucionet. Ky produkt konsiderohet si celësi i privatësisë së komunikimit dhe të gjitha subjektet mund ta përfitojnë atë nëpërmjet aplikimit pranë filialeve të postës shqiptare.

“Ky është një hap i ri drejt integrimit, drejt sigurisë, personalitetit dhe të drejtave të njeriut. Pra do të bëjë të mundur që komunikimi elektronik i secilit nga ne, të jetë thellësisht i siguruar dhe i pa deskriptueshëm nga të tjerët”, u shpreh Drejtori i Postës Shqiptare, Arqile Gorea.

Drejtuesit e Postës Shqiptare kanë ndarë edhe certifikatat për miqtë e sigurisë elektronike, që për biznesin i është dhënë Drejtorit të Bankës Credins, Artan Santo.

“Një marrëdhënie e shkëlqyer midis Bankës Credins dhe Postës Shqiptare, tashmë është ravijëzuar. Kemi hapa goxha të ndjeshëm”, tha ai.

Gjatë këtij viti Posta Shqiptare pritet të hedhë në treg të tjera produkte për klientët e saj.

“Do të kemi produkte të reja, që do të lehtësojnë akoma më shumë jetën e qytetarëve, mundësitë e qytetarëve për komunikim, por pse jo, edhe postën do ta ngejmë në një rol akoma më pozitiv, në luftën që bën qeveria shqiptare kundër informalitetit dhe korrupsionit”, tha më tej Drejtori i Postës Shqiptare.

Duhet theksuar se një certifikatë individuale kushton 15 euro në vit, kurse për kompanitë dhe për Web Serverat 760 euro në vit, me të drejtë rinovimi çdo vit. Posta Shqiptare Sh.a. është ofruesi i parë dhe i vetëm i shërbimeve të certifikimit elektronik në Shqipëri.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›