E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet kalimi i makinave në urën e vjetër të Bunës

10/06/2011  Vetëm këmbësorëve dhe mjeteve me 2 rrota

SHKODER- Vijimi i qarkullimit të automjeteve në urën e vjetër, më se 100-vjeçare, të Bunës edhe pas ndërtimit të së resë e ka detyruar Ndërmarrjen rajonale të Rrugëve Shkodër që të marrë vendimin për ndalimin e qarkullimit të të gjitha llojeve të mjeteve me katër rrota. Me ndërtimin e urës së re mbi lumin Buna, të inauguruar pak ditë më parë, u mendua se qarkullimi i automjeteve do të zhvendosej nga ura e vjetër në këtë urë me parametra plotësisht moderne. Lëvizjet e vëna re gjatë kësaj periudhe, si nga ana e Policisë së Qarkullimit Rrugor, ashtu dhe nga drejtuesit e Ndërmarrjes rajonale të Rrugëve, kanë treguar se ura e vjetër mbi lumin Buna po vazhdon të mbajë përsëri peshën më të madhe të qarkullimit të automjeteve. Problematika e qarkullimit mbi këtë urë të vjetër shtohet më tepër nga mjetet e tonazheve të rënda, numri i të cilave është thuajse i njëjtë me kohën përpara se të ndërtohej ura e re e Bunës. Ndërkohë lëvizjet e automjeteve të ndryshme në urën e vjetër kanë krijuar këto ditë edhe shqetësim për policinë e qarkullimit rrugor, që është e detyruar disa herë në ditë për shmangur mosmarrëveshjet që lindin mes drejtuesve të automjeteve për të kaluar nga njëri krah i urës njëkalimëshe, në tjetrin. Për drejtuesit e Ndërmarrjes rajonale të Rrugëve, ura e vjetër e Bunës tashmë duhet të shërbejë si monument kulture, pasi është ura e parë që është e ndërtuar mbi këtë lum për të lidhur dy pjesët e qytetit të Shkodrës, si dhe qytetin me komunat përtej këtij lumi e për të vijuar dhe në komunikimin me shtetin fqinjë të Malit të Zi. Ura e vjetër e Bunës u ndërtua në vitin 1889. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, në atë periudhë, Bektash Kazazi, mori iniciativën për ndërtimin e kësaj ure të projektuar nga inxhinier Ali Beu. Për ndërtimin e urës së Bunës u përdorën këmbë çimentoje të lidhura me tela hekuri, si dhe dërrasa për shtrimin e pjesës së sipërme të saj. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›