E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata: Ish-kryebashkiakja e Cërrikut të thirret me forcë

10/06/2011  Masakra e 1997-ës. Urdhërohet Burgaj për ekzekutimin e vendimin të Krimeve të Rënda

TIRANE- Mishelina Xhelo, ish-kryetarja e Bashkisë së Cërrikut në vitin 1997 dhe bashkëshorti i saj Xhevdet Koçia do shoqërohen me forcë në ambientet e gjykatës për të dëshmuar lidhur me masakrën e 23 majit 1997 të ndodhur në qytezën e Cërrikut. Urdhri është dhënë nga pesëshja e gjyqtarëve të krimeve të rënda të kryesuar nga relatori Klodian Kurushi, ku veç këtyre dy dëshmitarëve në vendimin e gjykatës janë të shënuar edhe emrat e dy personave të tjerë Xhemal Bardhoshi dhe Luan Gjonprenga, të cilët kanë refuzuar ftesën e gjykatës për të dëshmuar në këtë proces penal. Momentalisht urdhri i togave të zeza i ka kaluar për ekzekutim Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Në vendim kërkohet marrja e menjëhershme e masave për lokalizimin dhe shoqërimin me forcë të katër personave të sipërcituar mes tyre dhe ish-kryetaren e Bashkisë së Cërrikut Mishelina Xhelo. Në adresë të kësaj të fundit janë dërguar dhjetëra ftesa, por mësohet se prej një muaj e gjysmë Xhelo ka preferuar t’i shmanget procesit penal, që është duke u zhvilluar ndaj nëntë të pandehurve të Bandës së Cërrikut. Në disa nga seancat e kaluara ish-kryebashkiakja ka dërguar informacione duke u justifikuar me gjendjen jo të mirë shëndetësore. Por këto pretendime janë hedhur poshtë nga avokatët mbrojtës dhe vetë të pandehurit, të cilët janë shprehur në gjykatë se Xhelo nuk vuan nga asnjë sëmundje. Ata kanë shtuar se Xhelo gjatë fushatës për zgjedhjet lokale është parë përkrah kandidatëve të partive politike dhe se mosparaqitja e saj në gjykatë është bërë me qëllim dhe jo se nuk mundet t’i identifikohet adresa e banimit. Sipas tyre, por dhe përfaqësuesve të Prokurorisë, ish-kryebashkiakja Xhelo ka qenë mjaft aktive para dhe pas ndodhjes së kësaj ngjarjeje dhe për pasojë ajo konsiderohet si dëshmitaret kryesore të masakrës së Cërrikut, ku ditën e 23 majit u vranë gjashtë efektiva të Gardës së Republikës, si dhe disa prej efektivave të komisariatit të Elbasanit. Pritet që javën e ardhshme Policia e Shtetit të kryejë për në gjykatë shoqërimin me forcë të katër dëshmitarëve.

Kameramani i masakrës

Megjithëse ka dëshmuar një herë lidhur me këtë ngjarje, prokuroria ka kërkuar sërish pyetjen e Xhemal Bardhoshit në gjykatë pasi ekzistojnë disa momente që ende nuk janë sqaruar nga ky dëshmitar. Bardhoshi është autor i regjistrimit të një kasete filmike prej rreth 120 minuta, në të cilën tregohen ngjarjet para dhe pas masakrës së Cërrikut. Në filmime shikohen gardistë të plagosur, të vrarë dhe ata që mjekohen në spitalin e Elbasanit. Po kështu shfaqen dhe persona të armatosur e gardistë të marrë peng.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›