Posta Shqiptare mbush 100 vjet

Emetimi i pullës së parë postare u bë pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe prej atëherë shteti shqiptar ka emetuar me mijëra pulla postare, koleksionimi i të cilave është pasion për shume filateliste shqiptare dhe te huaj. Bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Postës Arqile Gorea, kryeministri Berisha vizitoi ekspoziten "100 vjet pullë postare shqiptare", ku ishin te ekspozuara pullat më të çmuara të filatelistëve të njohur të vendit nga Shkodra, Korça dhe Tirana.
“Pas vulës së Qeverisë, pulla postare ishte vula e dytë 'de facto' dhe 'de juro' e shtetit të ri shqiptar dhe në 100 vite pulla postare shqiptare ka pasqyruar besnikërisht Shqipërinë zyrtare dhe jo vetëm atë. Në 100 vite pulla postare është bërë një pasqyre dhe pse jo një zëdhënëse e shkëlqyer e të gjitha fushave të jetës së këtij kombi dhe zhvillimeve të këtij vendi”, tha Berisha, transmeton TCH.
Në 100-vjetorin e emetimit të pullës së parë Postare Shqiptare, kryeministri vlerësoi shndërrimin total të Postes Shqiptare në këto 8 vjet, duke u bërë, siç tha kryeministri Berisha pasqyrë e zhvillimit modern të vendit.
“Drejtimi eficent i saj, përkushtimi i punonjësve, mbështetja që i ka dhënë asaj Qeveria ka bërë që nga një shërbim që po degradonte, që po i largohej qytetarit, nga një shërbim që realisht ishte shndërruar në një problem, të jetë sot një nga shërbimet më të mira që u ofrohet qytetarëve një nga shërbimet më serioze dhe më të shpejta dhe absolutisht me teknologjinë më të lartë, një nga shërbimet më moderne që ekziston sot”, tha Berisha.
Ne shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e treguar për modernizimin e Postes, e cila, veç të tjerave, ofron falas shërbimi interneti për qytetarët në 1300 pika publike, zoti Gorea i dhuroi kryeministrit Berisha pullën e parë postare të shtetit shqiptar./Indeksonline/