Posta Shqiptare nismë për zonat e përmbytura. Ministri Pollo 100 mijë lekë (të reja) për banorët
Në shenjë solidariteti për banorët e zonave të përmbytura të zonës veriperëndimore të vendit, Posta Shqiptare ka ndërmarrë një projekt për të lehtësuar qarkullimin e ndihmës së çdo qytetari.
Falë kësaj nisme, çdo qytetar që ka mundësi të ndihmojë banorët e zonave të përmbytura të Shkodrës e rrethinave të saj, mund të shfrytëzojë të gjitha filialet e Postës Shqiptare.
Për të lançuar këtë projekt Ministri i Shtetit z. Genc Pollo dhe Drejtori i Postës Shqiptare z. Arqile Gorea ishin sot në Postën Nr 8 në Tiranë:
“Posta Shqiptare ka iniciuar skemën e solideritetit për të gjithë banorët e Shkodrës, - u shpreh Ministri Pollo për mediat,- të cilët u prekën nga përmbytja dhe tanimë, me përmbylljen e fazës së emergjencës është momenti që të shprehim kujdesin, vëmendjen, dashurinë, pra solidaritetin dhe të dhurojmë për fëmijët, gratë, të moshuarit, familjet në nevojë. Shërbimi bankar i Postës Shqiptare, i cili ka një numër filialesh në vend, më të madh se të gjitha bankat e tjera në Shqipëri, është në dispozicion të kësaj fushate solidariteti, e cila jam i sigurt do të japë frytet e veta, do të lehtësojë vuajtjen dhe do të mundësojë rifillimin normal të jetës së qytetit të Shkodrës dhe në komunat e nën Shkodrës.”
Me këtë rast, Ministri Pollo kontribuoi në degën e Postës Shqiptare me një ndihmë të hollash prej 100 mijë lekë (të reja).19/01/2010