E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posterat në Janinë: Vorio-epiriot, deklarohu grek në Shqipëri

JANINE-  Në kulmin e debateve të shumta për regjistrimin ose jo të minoritetit, qyteti më i afërt i Greqisë me Shqipërinë, Janina është gdhirë mëngjesin e djeshëm me postera të shumtë, të cilët i bëjnë thirrje të gjithë Vorio-epiritëve të deklarojnë origjinën e tyre në regjistrimin e popullsisë që është duke u zhvilluar në Shqipëri.

“Vorio-epiriot deklaro origjinën tende. Deklarohu grek në regjistrimin e popullsisë në Shqipëri”. Ky është teksti i shkruar në qindra posterat e shpërndarë në të gjitha muret e Janinës. Referuar mediave të shtetit fqinj, ende nuk dihen autorët e vendosjes së këtyre posterave, të cilët bien ndesh me thirrjet dhe vendimet e marra nga OMONIA dhe PBDNJ, të cilat i janë drejtuar minoritetit grek në Shqipëri, që të refuzojnë Censusin pas sipas tyre, është një mënyrë për të zvogëluar artificialisht numrin e minoritetit në vendin tonë.

Nga ana tjetër, banorët e Janinës janë befasuar nga këto postera, pasi prej kohësh nuk ishin parë thirrje kaq të forta për “Vorio- Epirin” në këtë qytet. Posterat mësohet se janë vendosur në orët e para të ditës së djeshme, nga persona ende të panjohur, të cilët më këtë veprim kanë kërkuar që të nxisin minoritarët që jetojnë në qytetin e Janinës që të shkojnë në Shqipëri dhe t’i nënshtrohen procesit të regjistrimit.

"Gazeta Shqiptare" shkruan sot se procesi i regjistrimit vijon me ritme normale në qarkun e Gjirokastrës. Madje krejt ndryshe nga çfarë u deklarua për një bojkot të këtij procesi në zonën e minoritetit etnik grek duket se banorët e kanë mirëpritur regjistrimin, por shumë prej tyre janë konfuz për atë çka po ndodh.
( Per me teper lexoni sot ne Gazeta Shqiptare)
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›