Postet, PR nuk tërhiqet nga Bujqësia
Ndonëse Kryeministri Berisha nuk ka nisur ende bisedimet konkrete për pozicionet që do të kenë aleatët në qeveri, partia e dytë më e madhe e koalicionit të djathtë, ajo Republikane, nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për të marrë një prej dy ministrive, Bujqësinë ose Ekonominë. Burime nga kjo forcë politike bëjnë të ditur për gazetën se kryeministri nuk i ka thirrur ende për bisedime konkrete, por shtojnë se i qëndrojnë variantit të publikuar në media. Pak ditë më parë kreu i Asamblesë së PR-së, Sabri Godo, tha se në shkëmbim të Ministrisë së Shëndetësisë kjo forcë mund të pranojë Ministrinë e Bujqësisë ose atë të Ekonomisë. “Ministria e Shëndetësisë është një ministri e pranueshme. Me rëndësi mund të jetë edhe Ministria e Ekonomisë, dhe mund të merret në konsideratë edhe ajo e Bujqësisë. Të gjitha këto janë ministri që mund të përmenden në bisedë, por ne nuk kemi një kërkesë fikse se duam këtë medoemos”, u shpreh Godo.