Ceka: Pas 2011 shkrihem me PD
Partia Aleanca Demokratike do të shkrihet me Partinë Demokratike pas zgjedhjeve lokale të vitit 2011. Këtë e bëri të ditur dje kryetari i kësaj force, Neritan Ceka, një nga themeluesit e PD-së në vitin 1990. “Ky ka qenë një opsion edhe para zgjedhjeve, por duke parë se sistemi favorizon partitë që futen në front, pra sa më shumë parti të merrnin pjesë në fushatë elektorale, aq më shumë shanse kishte koalicioni që të fitonte, Aleanca Demokratike qëndroi më vete. Ajo ruajti pavarësinë e saj”, tha Ceka. Sipas tij, “besoj se kjo do të ketë vlerë edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ne nuk mendojmë që procesi i shkrirjes, integrimit do kryhet para këtyre zgjedhjeve. Pas atyre zgjedhjeve, në qoftë se do qëndrojë po ky kod që kemi, atëherë natyrisht që zgjidhja më e mirë për Aleancën Demokratike është integrimi në PD”. Përsa i përket marrëveshjes paraelektorale me PD-në, Ceka thotë se ai ka kontaktuar disa herë me kryeministrin Berisha dhe se vetëm pas mbarimit të negociatave me të gjitha partitë e tjera do të shikohet nëse PAD mund të zërë ndonjë pozicion në qeverisje.