E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posti i kryetarit të Kuvendit, pikë e fortë në negociatat PD-LSI

Drejtimi i Kuvendit, i rëndësishëm për Partinë Demokratike. Pas Topallit dhe Metës përflitet Rusmali për postin e kryetarit

Eljona Ballhysa
Duket se posti i kryetarit të Kuvendit nuk do të lëshohet lehtë nga demokratët. Drejtimi i institucionit më të rëndësishëm ligjbërës shikohet si prioritet nga demokratët për ta drejtuar edhe gjatë katër viteve të ardhshme. Burimet bëjnë të ditur se ky post mbetet një ndër pikat e forta të negociatave mes dy partive kryesore të koalicionit qeverisës. Ndërsa flitet për një kërkesë të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të marrë timonin e drejtimit të Legjislativit, burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se ky post duhet të mbahet nga forca kryesore për shkak se mundëson miratimin e nismave qeverisëse. Gjatë katër viteve të kaluara drejtimi me dorë të hekurt i Kuvendit nga nënkryetarja e PD-së, Topalli, arriti miratimin e shumë nismave qeverisëse, si dhe bllokimin e disa dekreteve presidenciale, të cilat nuk gëzonin mbështetjen e maxhorancës.
Drejtimi
Drejtimi i Kuvendit shikohet me rëndësi nga maxhoranca për shkak se i shërben dhe i vjen në ndihmë qeverisë në rast se titullari zgjidhet në radhët e PD-së. Kryetari i Kuvendit ka në dorë të përfshijë në axhendën e punimeve të seancës nismat ligjore për të cilat Këshilli i Ministrave është i interesuar t’i kalojë sa më parë për miratim. Po kështu, kryetari i Kuvendit arrin të manovrojë në atë mënyrë që të vonojë përfshirjen në axhendë të kërkesave të partive opozitare për interpelancë me kryeministrin apo ministra të ndryshëm të qeverisë. Kryetari gjithashtu përcakton kohën se kur duhet të shqyrtohen dekretet e presidentit dhe ka në dorë bllokimin e tyre, ashtu sikurse ndodhi me dekretet e presidentit Topit për emërimin e gjashtë anëtarëve të Gjykatës së Lartë vetëm sepse nuk gëzonin pëlqimin e maxhorancës demokratike. Demokratët mendojnë se është në favorin e PD-së në rast se posti i kryetarit të Kuvendit i përket kësaj force politike.
Emrat
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, në qarqet e politikës nisi të qarkullojë ideja se Ilir Meta do të kërkojë postin e kryetarit të Kuvendit, përveç posteve ministrore në këmbim të bashkëpunimit me PD-në. Por së fundi po lakohen dhe emra të tjerë. Këtë herë emrat vijnë nga brenda PD-së. Por tani është kristalizuar mundësia se kryetarja Jozefina Topalli nuk do të vazhdojë ta mbajë më këtë post. Ende nuk është përcaktuar se cili do të jetë posti i ardhshëm i Topallit, megjithëse flitet për të marrë drejtimin e Ministrisë së Jashtme. Ajo që diskutohet në radhët e PD-së është mundësia që postin e kryetarit të Kuvendit ta marrë Ilir Rusmali. Gjatë katër viteve të kaluara Rusmali fillimisht mbajti postin e zëvendëskryeministrit dhe atë të ministrit të Drejtësisë. Më pas dha dorëheqjen nga këto poste dhe u emërua kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, duke drejtuar kështu një nga komisionet më të rëndësishme parlamentare. Më pas Rusmali u zgjodh në krye të Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Duket se postet me natyrë parlamentare e kanë përgatitur terrenin që Rusmali të marrë drejtimin e Kuvendit, ndërkohë që mbeten në pikëpyetje postet që do të marrë LSI-ja në këmbim të bashkëpunimit qeveritar me PD-në.

Bild: “Presidenca suedeze e BE-së do të shqyrtojë aplikimin e Shqipërisë për statusin”

Gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Dubrovnikut, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, është takuar me homologun e tij suedez, Karl Bild. Gjatë bisedës së zhvilluar, Karl Bild, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ka garantuar ministrin Basha se Presidenca suedeze do të mbështesë shqyrtimin sa më parë të aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit për vend anëtar në BE. Gjatë këtij takimi ministri Basha informoi rreth ecurisë së procesit zgjedhor në Shqipëri. Bashkëbiseduesit vlerësuan procesin zgjedhor si një test i maturisë së klasës politike në Shqipëri. Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Bild, e siguroi Bashën se Presidenca suedeze do të mbështesë shqyrtimin sa më parë të aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit për vend anëtar në BE. Gjithashtu, ai u shpreh se Suedia mbështet përmbylljen pa vonesë të procesit të liberalizimit të vizave në zonën “Shengen” për shtetasit shqiptarë.
Këtë takim Basha e zhvilloi gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Dubrovnikut me temë “Imperativët strategjikë të Europës: Energjia, Investimet dhe Zhvillimi”, që zhvilloi punimet në datat 9-10 korrik. Në këtë samit, të organizuar nga qeveria e Kroacisë në bashkëpunim me qeverinë e Suedisë, vend që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, merrnin pjesë kryeministra, ministra të Punëve të Jashtme dhe zyrtarë të lartë të rajonit të vendeve anëtare të BE-së, të Parlamentit Europian, Komisionit Europian, NATO-s etj. Temat kryesore të këtij samiti ishin perspektiva euroatlantike e Ballkanit Perëndimor, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit rajonal dhe i bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, energjisë, ambientit etj. Pjesëmarrësit vlerësuan anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO si një shembull i qartë se reformat dhe vullneti politik për t’i realizuar ato janë vendimtare në arritjen e objektivave të integrimit euroatlantik të rajonit. Gjatë Samitit u theksua se perspektiva e qartë europiane e rajonit është domosdoshmëri dhe motiv për të thelluar reformat në këto vende. Liberalizimi i vizave brenda vitit 2010 për vendet e Ballkanit Perëndimor u vlerësua si një objektiv i rëndësishëm në rrugën e integrimit europian të këtyre vendeve. Në Samit u vlerësua se për të pasur një Europë të bashkuar dhe të lirë është e domosdoshme që asnjë vend të mos shmanget nga projektet dhe nga gjurmët e gazsjellësve transnacionalë dhe se burimet energjetike duhet të diversifikohen. Të pranishmit në Samit diskutuan edhe për një numër projektesh konkrete të përbashkëta rajonale në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe ambientit.

Republika Dominikane konfirmon njohjen e pavarësisë së Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës bëri publike dje njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës nga Republika Dominikane. Fakti është bërë i njohur nëpërmjet një letre nga sekretariati i Shtetit i Republikës Dominikane për Marrëdhënie Ndërkombëtare, përmes së cilës shprehet pozicioni i qartë i Republikës Dominikane për Kosovën. Në letër thuhet: “Qeveria e Republikës Dominikane, në bazë të autoritetit kushtetues dhe në pajtim me praktikat dhe normat ndërkombëtare për njohjen e shteteve është pajtuar ta njohë Republikën e pavarur të Kosovës”. Po ashtu në letër theksohet se, Republika Dominikane përgëzon autoritetet dhe popullin e Kosovës për arritjet dhe krijimin e strukturave institucionale që i mundësuan popullit të Kosovës të ketë shtet sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës i shpreh mirënjohje institucioneve dhe popullit të Republikës Dominikane dhe do të punojë në intensifikimin e raporteve deri në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, thuhet në një komunikatë të kësaj ministrie. Republika Dominikane është bërë shtetit i 62-të që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

13 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›