E Shtunë, 31 Tetor 2026

Postzgjedhjet, transferohen 8 pedagogët "kundërshtarë"

DURRES - Vendimi i rektoratit të universitetit "Aleksandër Moisiu" për përforcimin e trupës akademike të filialit të Peshkopisë me personel nga Durrësi ka nxitur sot reagimin e një grupi pedagogësh të këtij institucioni të lartë arsimor.

Rektori Mit’hat Mema tha sot për mediat se vendimi i tij është mbështetur nga senati dhe synon përmirësimin e nivelit profesional të mësimdhënies në filialin e qytetit verilindor. Ai shtoi se pedagogët kanë qenë edhe më parë lektorë të këtij filiali dhe vazhdojnë të jenë në trupën akademike të universitetit të Durrësit.

Ndërkaq, pedagogët e emëruar në Peshkopi kanë theksuar se gjithçka lidhet me mbështetjen që ata i kanë dhënë kandidatit rival të rektorit në zgjedhjet e fundit të Universitetit. Përfaqësuesit e grupit të pedagogëve theksuan se do ta ndjekin problemin edhe në rrugë gjyqësore.

Po sot, në Universitetin e Durrësit është zhvilluar mbledhja e parë e senatit akademik gjatë të cilit zëvendës/ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, bëri të njohur zyrtarisht edhe dekretimin e prof. as. dr. Mit’hat Memës në postin e rektorit të universitetit.

E pyetur lidhur me shqetësimin e pedagogëve të transferuar në filialin e Peshkopisë, znj. Malaj tha se vendimet e organizmave universitarë merren në kuadër të autonomisë së tyre të brendshme.
Universiteti i Durrësit ka filluar "rrugën" e tij në vitin 2006 dhe aktualisht numëron mbi 7 mijë studentë, një pjesë e të cilëve mësojnë në filialin e Peshkopisë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›