E Diel, 1 Nëntor 2026

Prag krize në SHBA, si u zhvlerësua dollari në vitin 1968

Gazeta “Zëri i popullit” analizon situatën ekonomike në Amerikë dhe efektet e saj.

TIRANË - Kontradiktat e shumta antagoniste politike e ekonomike, të grumbulluara për shumë kohë në gjirin e botës kapitaliste, shpërthyen krizën e sistemit monetar kapitalist ndërkombëtar. Bota kapitaliste po jeton tani krizën më serioze financiare gjatë 40 vjetëve të fundit dhe i gjithë sistemi imperialist po kërcënohet nga goditja më e fuqishme ekonomike që ai ka pësuar pas krizës ekonomike të 1929-1933-shit. Ky është rezultat i procesit të kalbëzimit e të shthurjes së imperializmit, i ecjes me ritme të shpejtuara drejt shembjes së tij të plotë. Sterlina angleze krisi dhe u zhvlerësua në një të shtatën. Ditët dhe javët e para këtë krizë monetare bota kapitaliste u përpoq ta paraqiste si një fenomen të izoluar dhe të zonës së sterlinës. Natyrisht, ky ishte një bllof për të fshehur ethet që i kishin zënë të tërë, pasi kriza e stërlinës nuk mund të ishte e shkëputur nga ajo e dollarit dhe e monedhave të tjera më të dobëta, bile të varura shumë prej dy të parave. Pas zhvlerësimit të sterlinës, zhvlerësuan nga 8-20 për qind, monedhën e tyre edhe njëzet e ca vende të tjera anëtare të NATO-s. Në këto vende do të shtohen çrregullimet ekonomike e deziluzionet. Por kriza e turizmit amerikan, vendit më të pasur kapitalist, do të kufizojë patjetër, bile shumë, daljen e turistëve edhe nga vetë vendet socialiste. Po t’i hedhim një sy gjendjes në Angli, do të shohim se ajo sa vete e po shtrëngon rripin e popullit, po përpiqet të frenojë rrokullisjen e sterlinës, duke shtrenjtuar jetën e masave dhe jo më të mendojë që të nxitë zhvillimin e turizmit anglez jashtë shtetit. Atëherë merret me mend se çdo të ngjasë në Jugosllavi e gjetkë në vendet ku sundojnë revizionistët, ku valuta e turistëve kapitalistë pritet si një mjet çudibërës. Investimet e kapitalit amerikan zënë një peshë të rëndësishme në shumë vende kapitaliste. Në vitin 1967 ato arrinin në 57,5 miliardë dollarë, nga të cilat 17,5 miliardë (afro 1/3 e shumës së përgjithshme) vetëm në Europë. Shkurtimi i investimeve në vendet e tjera do të ketë pasoja të mëdha për vetë kapitalin amerikan, që detyrohet të ngushtojë çairin e madh ku livadhiste (norma e fitimit neto nga investimet jashtë vendit arrin deri në 35 për qind, në krahasim me 9 për qind brenda vendit), por sidomos për ato vende që gjoja përfitonin nga këto investime. Lere pastaj vendet ku sundojnë revizionistët, të cilat, që kurse hynë në rrugën e restaurimit të kapitalizmit dhe të integrimit në ekonominë botërore kapitaliste, po u vërsuleshin si të uritur kredive e investimeve amerikane. Perspektivë e bukur u hapet atyre! Vështirësitë, papunësia, varfëria, pakënaqësia do të shtohen. Por edhe këto masa nuk qenë të mjaftueshme për të përmbajtur krizën që i kanoset dollarit. Kërkesat për të grumbulluar ar në tregjet e Londrës e të Parisit, të Zyrihut e të Amsterdamit dhe çmimi i arit po rriteshin në mënyrë të rrufeshme. Thesari amerikan përditë i pakësonte rezervat e tij në ar, sepse qeveritë dhe bankat e huaja, për mungesë besimi te dollari kartë, kërkonin kthimin e dollarit në ar. Rezervat amerikane në ar arritën në pikën më kritike të historisë financiare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përpara kësaj gjendjeje dhe me qëllim që të largonte Kastron, së paku përkohësisht, qeveria amerikane, nga njëra anë, mori vendim që të shpengojë gjithë rezervën në ar për të përballuar kërkesat e qeverive dhe të bankave të huaja për kthimin e dollarit në ar, nga ana tjetër provokoi një mbledhje urgjente të drejtorëve të bankave qendrore të shteteve kryesore kapitaliste që marrin pjesë në grupin e arit për të marrë masa të përbashkëta për shpëtimin e dollarit. Kjo mbledhje vendosi që tregu i arit të ndahet në dy tregje: një për bankat qendrore të grupit të arit, në të cilin çmimi i arit do të jetë i pandryshueshëm, 35 dollarë onci, dhe një treg për përdoruesit privatë, në të cilin çmimi i arit do të jetë i lirë, duke iu nënshtruar ligjit kapitalist të kërkesës e ofertës. Për të gjitha këto masa mund të shtyjnë afatin katastrofës për dollarin, por nuk e zhdukin atë. Natyrisht, të pasurit do të vazhdojnë të rrisin fitimet e të bëjnë qejf në kurriz të të varfërve. Kjo do të bëjë që në vendet kapitaliste e revizioniste të thellohet shtypja dhe të ligjërohen edhe më shumë kusaria e grabitja. Presioni e kërcënimi amerikan mbi partnerët e tij kapitalistë e revizionistë do të shtohen, kontradiktat midis tyre do të thellohen akoma më shumë, kalbësira e regjimit kapitalist dhe e lajkave të tij revizioniste do të dalë akoma më në shesh dhe politika e tyre hegjemoniste, grabitqare, luftënxitëse do të demaskohet akoma më shumë. Analiza e drejtë marksiste-leniniste e gjendjes së kapitalizmit dhe e raportit të forcave të klasës nxjerr në shesh se në vendet kapitaliste kryesore po acarohen gjithnjë e më shumë kontradiktat klasore, po ecet drejt konfliktesh e luftërash të reja shoqërore, drejt acarimit të kontrastit të interesave midis monopoleve e masave punonjëse. Kjo e rrit edhe më shumë mundësinë e domosdoshmërisë për t’i bashkuar të gjithë punonjësit në një front të vetëm, nën udhëheqjen e klasës punëtore. Përpjekjet e partive revizioniste në vendet kapitaliste e të gjithë revizionistëve modernë për të zbatuar të ashtuquajturën politikë të unitetit të veprimit, politikë të së majtës ose program demokratik, janë një tradhti e hapur ndaj luftës së klasës punëtore, ndaj interesave të asaj jetike e revolucionit proletar dhe një përkrahje për të zgjatur jetën e kapitalizmit, duke u orvatur të shuajnë luftën e klasave.

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 31 mars 1968
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›