E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roma e Totit ëndërron hakmarrjen kundër “Djajve të kuq” të Runit

Roma është e pathyer në shtëpi në nëntë ndeshjet e fundit në Champions. Mançesteri, së bashku me Barcelonën e Çelsin, nuk ka njohur humbje

Dash Frashëri

12 muaj më parë Roma fitoi 2-1 me “Djajtë e kuq”, dhe “Olimpiko” do të presë sot (20:45) një nga sfidat më tërheqëse të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve. Roma, që eliminoi Realin e Madridit në raundin e kaluar, do të përballet sërish në çerekfinale me Mançester Junaitid, kampion i Europës në vitin 1968 dhe 1999. Takimi Roma-Mançester do të gjykohet nga gjyqtarë belgë me kryesor Frank De Bleeckere.
Herën e fundit dy ekipet u përballën sërish në çerekfinale në kryeqytetin italian, Roma fitoi 2-1, por Mançesteri fitoi me rezultat të përgjithshëm 8-3, ku e paharrueshme mbetet fitorja 7-1 e “Djajve të kuq” në “Old Traford”, njëherësh edhe fitorja më e madhe e Mançesterit në kompeticionet e UEFA-s për klubet që nga viti 1968. Në takimin e fundit në Angli, të vlefshme për fazën e grupeve, Roma humbi më 2 tetor 2007 me rezultatin 1-0 (gol i Uejni Runit), ndërsa ai i kthimit në Romë, më 12 dhjetor 2007, përfundoi 1-1 (Tadei për Romën, Pike për Mançesterin).
Portieri i Romës, Doni, tha për uefa.com: “Ishte me të vërtetë një ndeshje e keqe për ne në ‘Old Traford’, por këtë vit ne jemi ndryshe, kemi më shumë eksperiencë. Pesë apo gjashtë lojtarë në skuadrën tonë e dëshironin Mançesterin, me qëllimin që të hakmerreshim”.
Mesfushori i Romës, Devid Pizarro, tha se skuadra e tij është e gatshme për “hakmarrje” për atë humbje poshtëruese 7-1 nga Mançester Junaitid, kur të dyja skuadrat u takuan në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve sezonin e kaluar.
Dy skuadrat janë takuar edhe në fazën e grupeve. Mançesteri fitoi 1-0 në “Old Traford” dhe barazoi 1-1 në “Olimpiko”. Pas eliminimit të Realit të Madridit në raundin e parë me nokaut, braziliani është i bindur se Roma nuk do të vuajë të njëjtin fat. “Ne duhet të bëjmë dy ndeshje të mëdha dhe të arrijmë në gjysmëfinale. Ne fituam në Madrid dhe kjo na jep më shumë besim. Ne e dimë se mund të mundim këdo”.
Roma është e pathyer në shtëpi në nëntë ndeshjet e fundit në Ligën e Kampioneve ku ka arritur gjashtë fitore dhe tre barazime. Në dhjetë ndeshjet e fundit kundër ekipeve të ndryshme angleze, Roma ka fituar pesë takime, barazuar tre dhe humbur dy.
Në ndeshjen e fundit në Serinë A, Roma barazoi me Kaljarin 1-1. Trajneri Spaleti tha: “Ne i meritonim tri pikët”. Ndërkohë që Toti me golin e tij arriti në kuotën e 165 golave. Roma nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi qysh prej 29 shtatorit 2007, kur Interi fitoi 4-1. Në 17 ndeshje, qysh prej atij takimi në të gjitha kompeticionet, Roma ka fituar 15 ndeshje dhe ka barazuar 2 të tilla.
Mançester Junaitid është një nga tre ekipet, së bashku me Barcelonën e Çelsin, që nuk ka njohur humbje gjatë këtij edicioni. Në katër ndeshje të luajtura jashtë shtëpisë skuadra e Fergusonit ka arritur dy fitore dhe dy barazime. Junaitid ka shijuar shumë pak sukses kundrejt ekipeve italiane, kur ndeshjet janë luajtura në Itali. Në 14 ndeshje të zhvilluara Mançesteri ka humbur 10 ndeshje, duke fituar vetëm dy prej tyre, ku një prej tyre është ajo kundër Juventusit (2-3) në vitin 1999. Mançesteri, nga ana e tij, në kampionatin anglez shkatërroi Aston Vilën 4-0, e 700-ta nën urdhrat e trajnerit Aleks Ferguson. Rio Ferdinand ka shansin të luajë ndeshjen e tij të 50-të në Ligën e Kampioneve, ndërsa Mikael Silvestër të 75-n në Europë.
Kur në short ishin katër skuadra angleze, trajneri i Mançester Junaitid, Sër Aleks Ferguson, mbeti i befasuar duke parë që të çiftohej me Romën sërish. “Është e pabesueshme”, - tha Sër Aleks për manutd.de. “Unë kisha një parandjenjë të fuqishme se do të përballesha me një ekip anglez. Është argëtuese të mendosh se do të përballemi me Romën gjashtë herë brenda një viti. Është një çift shumë intrigues, pasi ne dimë shumë për Romën, por dhe ata dinë shumë për ne. Unë kam parandjenjën se do të jetë një çift i madh europian”, - shtoi ai. Ndeshja e parë do të luhet të martën, më 1 prill, në Romë, ndërsa ajo e kthimit në “Old Traford” tetë ditë më pas.

Rruga drejt finales

Përveç hedhjes së shortit të çerekfinaleve në “House of European Football”, u përcaktua edhe rruga që do të ndjekin tetë ekipet drejt finales. Tashmë skuadrat fituese të katër çifteve i dinë kundërshtarët me të cilët do të përballen në gjysmëfinale, takimet e të cilave do të luhen më 22,23 dhe 29,30 prill 2008. Nëse Çelsi do të kualifikohet, do të ndeshjet me fituesin e çiftit Arsenal-Liverpul, në një tjetër betejë të tërë angleze, ndërkohë që Shalke ose Barcelona do të përballen me fituesen e çiftit Roma-Mançester. Finalja do të zhvillohet në stadiumin “Luzhniki”, në Moskë, më 21 maj (ora 20:45).

ÇEREKFINALET
1 prill 2008
1. Roma- Mançester Junaitid
2. Shalke 04- Barcelona
2 prill 2008
3. Fenerbahçe-Çelsi
4. Arsenal- Liverpul

NDESHJET E PARA:
1-2 prill 2008
Ndeshjet e kthimit
8-9 prill 2008

Golashënuesit
6 Lionel Messi (Barcelona)
6 Kristiano Ronaldo (Man. United)
5 Steven Xherard (Liverpul)
5 Raul Gonzalez (Real Madrid)
5 Zlatan Ibrahimoviç (Inter)
5 Frederik Kanute (Sevilja)
4 Karim Benzema (Lion)
4 Fernando Torres (Liverpul)

LIGA E KAMPIONEVE, SKUADRAT ÇEREKFINALISTE

ROMA
Shteti: Itali
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Françesko Toti
Ndeshje në Europë
Total: 180
F:85, B:41, H:54

MANÇESTER JUNAITID
Shteti: Angli
Fitues: 2 herë
1968, 1999
Ylli i skuadrës:
Kristiano Ronaldo
Ndeshje në Europë
Total: 244
F:129, B:63 H:52

SHALKE 04
Shteti: Gjermani
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Herbert Nojer
Ndeshje në Europë
Total: 113
F:60, B:24, H:29

BARCELONA
Shteti: Spanjë
Fitues: 2 herë
1992, 2006
Ylli i skuadrës:
Lionel Mesi
Ndeshje në Europë
Total: 352
F:194, B:79, H:79

---------------------------------
FENERBAHÇE
Shteti: Turqi
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Roberto Karlos
Ndeshje në Europë
Total: 140
F:46, B:22 H:72

ÇELSI
Shteti: Angli
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Didier Drogba
Ndeshje në Europë
Total: 118
F:64, B:31, H:23

ARSENALI
Shteti: Angli
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Sesk Fabregas
Ndeshje në Europë
Total:165
F:80, B:44, H:41

LIVERPULI
Shteti: Angli
Fitues: 5 herë
1977, 1978, 1981,
1984, 2005
Ylli i skuadrës:
Stiven Xherard
Ndeshje në Europë
Total: 264
F:149, B:57, H:58

Barça në krizë, “qymyrxhinjtë” kërkojnë fitore

Drejtori Teknik i Barcelonës, Tiki Bergirishtajn deklaroi se klubi i tij është zhytur në një krizë të plotë pas humbjes shokuese kundër Real Betis, ku Barcelona, nga avantazhi 0-2 humbi 3-2. “Tifozët nuk duan fjalë. Ata vetëm duan të shohin aksionet e duhura. Barcelona duhet të reagojë. Rajkard nuk do të largohet nga detyra e tij”, - tha Bergirishtajn për televizionin katalanas. Kundër Shalkes do të mungojnë Deko dhe Ronaldinjo.
Shalke 04, që eliminoi Porto nga gjuajtjet e penalltive dhe që merr pjesë për herë të parë midis tetë më të mirave, do të përballet me Barcelonën, fituese e Ligës së Kampioneve në vitet 1992 dhe 2006. Trajneri i Shalke 04, Mirko Slomka, e konsideroi si “një super short për klubin dhe ekipin”. Shalke do të bëjë debutimin për herë të parë në erën moderne të Ligës së Kampioneve, pasi më parë ka arritur në çerekfinale në Kupën e Kampioneve të Europës në sezonin 1958-1959, kur u eliminua nga një tjetër ekip spanjoll, Atletiko e Madridit. Shalke 04, e njohur me nofkën “qymyrxhinjtë”, kërkojnë fitore me Barcelonën, fituese e Ligës së Kampioneve në vitet 1992 dhe 2006.
“Barcelona është një super short për klubin dhe për skuadrën”, - tha trajneri, skuadra e të cilit do të presë në shtëpi Barcelonën më 1 prill, përpara se të luajë ndeshjen e kthimit në “Kamp Nou” tetë ditë më pas. “Natyrisht, është një ndeshje e shkëlqyer për fansat, pasi çdo futbollist i Barcelonës është në superyll. Por me tifozët pas ne jemi në gjendje të luajmë një ndeshje shumë të mirë dhe të marrim një rezultat të mirë përpara ndeshjes së kthimit në Barcelonë”. Shalke ka luajtur 14 herë kundër ekipeve spanjolle, duke fituar pesë, barazuar katër dhe humbur pesë. Barcelona është ndeshur 43 herë kundër ekipeve gjermane, duke arritur 23 fitore, nëntë barazime dhe njëmbëdhjetë humbje. Drejtori Sportiv i Barcelonës, Aitor “Txiki” Beguirishtajn, mendon se skuadra e tij nuk duhet të ndikohet nga statistikat. “Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Shalke ishte një nga ato skuadra që ne do të dëshironim të ndesheshim në këtë fazë, por e rëndësishme për ne është që do të luajmë ndeshjen e kthimit në shtëpi dhe kjo është realisht pozitive për ne. Ne duhet të jemi seriozë, pasi vetëm ekipet e mëdha arrijnë në çerekfinale”.

824 milionë euro, sa marrin ekipet

UEFA vlerëson se të ardhurat nga Liga e Kampioneve për sezonin 2007-2008 do të jenë 824.5 milionë euro të ardhura nga të drejtat televizive dhe komerciale të kontraktuara nga UEFA. 75 për qind e tyre, ose 530 milionë euro, do t’u shpërndahen 32 ekipeve që morën pjesë në fazën e grupeve. 25 për qind e të ardhurave do të përdoren nga administrata e UEFA-s për të mbuluar shpenzimet administrative, pagesa për federatat (përfshirë edhe atë shqiptare) dhe klubet.
Secili nga 32 klubet që merr pjesë në fazën e grupeve merr një bonus prej 3 milionë eurosh. Për çdo ndeshje që do të luajë merr një shtesë prej 400 mijë eurosh. Kësaj i shtohet një shumë prej 600 mijë eurosh nëse ekipi fiton, ose 300 mijë euro në rast barazim në fazën e grupeve.
Çdo ekip që arrin në fazën e dytë, pra atë 16 ekipeve, merr një shumë shtesë prej 2.2 milionë eurosh. Tetë ekipet çerekfinaliste marrin shtesë një bonus prej 2.5 milionë eurosh secili. Në këtë fazë aktualisht ndodhen Roma, Mançester Junaitid, Shalke 04, Barcelona, Fenerbahçe, Çelsi, Arsenali dhe Liverpuli.
Gjysmëfinalistët përfitojnë edhe një shtesë prej 3 milionë eurosh secili. Fituesi i Ligës së Kampioneve merr së bashku me “kupën me veshë” edhe një shumë prej 7 milionë eurosh, ndërsa ekipi humbës i finales përfiton 4 milionë euro.

Fitoret më të thella
8-0: Liverpul-Beshiktash (06.11.2007)
7-0: Arsenal-Slavia (23.10.2007)
7-0: Juventus-Olimpiakos (10.12.2003)
Më shumë gola
12: Van Nistelrooy (M.United, 2002-2003)
Katër gola në një ndeshje:
Marco van Basten, Simone Inzaghi, Dado Prso,
Ruud van Nistelrooy, Andriy Shevchenko.
Golat më të shpejtë
10.03 sekonda: Roj Makaj
(Bayern-Real Madrid 1-1)
20.07 sekonda: Gilberto
(PSV Eindoven-Arsenal 4-0
20.12 secs: Alessandro Del Piero
(Manchester United FC –Juventus)
Ndeshje në Ligën e Kampioneve
116 Raul Gonzalez (Real Madrid)
114 Roberto karlos (Real Madrid, Fenerbahçe SK)
109 Paolo Maldini (Milan)
Në të gjitha kompeticionet
172 Paolo Maldini (Milan)
139 Luis Figo (Sporting, Barcelona, Real Madrid, Inter)

Golat në Ligën e Kampioneve
61 Raul Gonzalez (Real Madrid)
57 Rud van Nistelroj (PSV Eindhoven, Manchester United, Real Madrid)
56 Andriy Shevchenko (Dynamo Kyiv, Milan, Chelsea)
49 Alfredo Di Stefano (Real Madrid)
47 Eusebio (Benfica)
46 Filippo Inzaghi (Juventus, AC Milan)
45 Thierry Henry (Monaco, Arsenal, Barcelona)

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›