Skela: "Gol nga goditja e lirë, aftësi dhe fat“
Njeriu i ndeshjes, por njeriu u ditës në qytetin gjerman të Kotbusit. Ky është shqiptari Ervin Skela. Fantazisti shënoi një gol me goditje të lirë (31’) dhe një të dytë me penallti në fitoren 2-1 të Energi Kotbus me Hertën e Berlinit. Skela dha një intervistë të gjatë për gazetën gjermane “Lausitzer Rundschau”, ku flet për recetën e suksesit të tij, përvojën dhe dyluftimet në luftën për mbijetesë.
Ervin Skela, janë penalltitë në luftën për mbijetesë më të vështira psikologjikisht për t’u shënuar sesa penalltitë “normale”?
Para gjuajtjes nuk mendoj për këtë, nëse bëhet fjalë për rënien nga kategoria apo për Ligën e Kampioneve. Unë përqendrohem te topi, portieri dhe te një pikë në portë, atje ku dhe dua të dërgoj topin. Se çfarë zhvillimesh mund të sjellë penalltia kuptohet që e di më parë. Trajneri midis Denis Sorensen më zgjodhi mua për të goditur penalltinë. Unë e ndieja veten mirë dhe dëshiroja të merrja përgjegjësinë. Kur u dha penalltia për ne, për mua ishte e qartë se do të shënoja. Tifozët? Unë isha shumë i përqendruar, nuk kishte rëndësi luanim jashtë apo më fishkëllenin. Me penalltitë të jepet një shans dhe ti duhet patjetër ta shfrytëzosh.
Ju keni luajtur më parë me Eintracht Frankfurt, Arminia Bielefeld dhe Kaiserslautern dhe keni fituar një përvojë të madhe në luftën për mbijetesë. Çfarë ka të veçantë në këto përjetime?
Merrni ndeshjen kundër Hertës. Berlinezët ndodhen në një pozicion komod në tabelë dhe e shikonin ndeshjen shumë qetësisht. Nëse kësaj radhe nuk u eci, do ta bëjnë fundjavën e ardhshme. Ndërsa ne luftojmë kundër rënies. Për ne çdo ndeshje është një finale. Ne e dimë se me një fitore mund të lëmë zonën e rënies. Natyrisht, ky është një motiv më shumë. Por lufta për mbijetesë ka dhe anën e saj të errët.
Për shembull?
Unë e di nga koha ime te Frankfurti, Bielefeldi dhe para së gjithash te Kaiserslauterni, që lufta për mbijetesë është një presion pa fund. Këtë nuk do t’ia uroja askujt. Përjetimi i suksesit kundër Bajernit të Munihut ishte shumë i rëndësishëm. Ajo ndeshje na dha shumë fuqi. Ne pamë se mund të fitonim kundër çdo kundërshtari nëse të gjitha fuqitë do t’i përdornim.
A mund të na e shpjegoni ju si lojtar me përvojë këtë lloj presioni në dhomat e zhveshjes, apo dëshironi ta çoni në shtëpi, në jetën tuaj private?
Përsa i përket presionit ti nuk mund të jesh plotësisht i çliruar. Kur ti kthehesh në shtëpi, tabela e klasifikimit është në teletekst. Llogarit, kalkulon, krahason pasojat dhe kundërmasat. Para së gjithash dita pas ndeshjesh, nëse ke pasur emocione, mendon shpesh dhe riprodhon se çfarë ka ndodhur. Por unë e dua këtë punë të mrekullueshme si futbollist profesionist dhe luaj me Energi Kotbus në Bundesliga 1.
A ju ndihmon përvoja në luftën për mbijetesë?
Po. Unë jam i tunduar gjatë gjithë vitit. Përveç kësaj, familja ime më jep shumë fuqi. Para tetë muajsh lindi djali im. Kur unë luaj me të, harroj për disa çaste edhe luftën për mbijetesë.
Ka ndonjë recetë në luftën për mbijetesë?
E rëndësishme është që ekipi të ketë konceptin se lufton për mbijetesë dhe të ruajë qetësinë. Deri tani ne në Kotbus ia kemi dalë shumë mirë. Trajneri na vendos më mirë në fushë. Ne kujdesemi që të përçojmë konceptin e tij. Është bukur, pasi ne e dimë se e kemi në dorë. Një rënie tjetër do të ishte brutale edhe për pjesën tjetër të karrierës sime.
Përgatiti: Dash Frashëri
Fati, apo aftësia?
Skela kundër Hertës, përveçse me penallti, shënoi edhe me goditje të lirë. Çfarë vendos në këto goditje të lira. Skela thotë se është e vështirë për t’u thënë. Por goditjet e lira janë punë në futboll, duhet t’i përmirësosh përmes një trajnimi të përhershëm. Unë e provoj shpesh gjatë stërvitjeve dhe bëj për këtë dhe seanca të veçanta. Gjatë stërvitjeve të fundit përpara ndeshjes kundër Hertës kisha shënuar shumë herë me goditja të lira. Por, të realizosh në ndeshje është një tjetër arritje. Varet edhe nga freskia trupore. Nevojiten edhe detaje të tjera. Por natyrisht edhe fati duhet në një goditje të lirë.
Cana: “Treguam mentalitet të madh”
Lorik Cana shkaktoi penalltinë e shndërruar në gol nga Lë Pen i Lorient (42’). Kapiteni shqiptar, i “zyrtarizuar” në qendër të mbrojtjes të Olimpikut të Marsejës (së bashku me Roland Zubar), bëri një pjesë të mbetur të shkëlqyer të ndeshjes.
PENALLTIA - Cana tregon edhe momentin e shkaktimit të penalltisë: “Aksioni i penalltisë ishte në përplasje e sipër. Edhe sikur të merrja vendimin për të mbrojtur topin, dyluftimin do ta ndërprisja. Pas kësaj pashë që Le Pen bëri një rrotullim. Unë rikuperova topin me këmbën e majtë. Në këtë moment ai më tërhoqi nga bluza dhe unë humba ekuilibrin. Ai ndodhej i vetëm përballë portës. Edhe unë e godita pak atë. Kur gjyqtari fishkëlleu, mendova se e dha për ne. Ishte ai (Lë Pen) që gaboi i pari. Do të ishte një fatkeqësi e madhe nëse do të humbisnim për shkak të asaj penalltie, por ne ia dolëm”, - deklaroi Cana pas fitores 1-2 në transfertë me Lorient.
TRI PIKË - “Ne kishim nevojë për këto tri pikë për shumë arsye. Ndeshja ishte shumë e rëndësishme për t’iu afruar vendit të tretë. Nga ana tjetër, kjo fitore erdhi pas një faze ku rezultatet nuk ishin ato që dëshironim. Ishte shumë e rëndësishme, me gjithë vështirësitë, ia arritëm të jepnim maksimumin tonë. Treguam një provë të madhe mentaliteti”, - thekson Loriku, lojtari më i shtrenjtë shqiptar dhe i kërkuar nga disa prej klubeve më të mëdha të Europës. Marseja, me 49 pikë pas 31 ndeshjesh, ndodhet në vendin e katërt të kampionatit francez, 3 pikë më pak se Nanci i vendit të tretë. Skuadra e shqiptarit praktikisht ndodhet në zonën e Kupës UEFA, por objektivi i madh sezonal i të vetmit klub francez që ka fituar Ligën e Kampioneve është pjesëmarrja në kualifikueset e Champions.
REKORD SEZONAL - Lorik Cana është lojtari i dytë marsejez me më shumë aktivizime, 41 të tilla në të gjitha kompeticionet, pas mbrojtësit Laurent Bonart (42 ndeshje). Cana është autori i 3 golave, por dhe “pronari” i 12 kartonëve të verdhë. Loriku mund të thyejë këtë vit edhe një rekord personal me fanellën e Marsejës. Ndërsa sezonin e kaluar ai zhvilloi 44 ndeshje, Cana i ka të gjitha mundësitë për ta tejkaluar këtë shifër.
1 EURO -Të shtunën, më 6 prill do të luhet edhe ndeshja e sezonit për Marsejën, ajo kundër kampionëve të Francës, Olimpikut të Lionit, që kryeson edhe kampionatin. Në ndeshjen e fazës së parë, Marseja fitoi 1-2 në shtëpinë e Olimpikut të Lionit (dy gola të Niang për Marsejën). Cana luajti 90 minuta në atë takim, por u ndëshkua edhe me një karton të verdhë. “Unë jam i kënaqur për shokët e mi, tifozët tanë, qytetin e Marsejës. Treguam se ishim të denjë të vishnim ngjyrat e Olimpikut të Marsejës”, - tha Cana atëherë pas ndeshjes. Olimpik i Marsejës-Olimpik i Lionit ka dhe një të veçantë tjetër, pasi pikërisht në këtë ndeshje do të materializohet edhe iniciativa humanitare e Lorik Canës, ku nga çdo biletë e shitur (priten 50 mijë të tilla), kapiteni i Marsejës, në marrëveshje edhe me drejtuesit e klubit, do të marrë 1 euro për ta nisur më pas në Shqipëri, në ndihmë të fëmijëve të varfër shqiptarë.
NDESHJE BAMIRËSIE - Cana, një ambasador i PNUD-it, është një nga aktivistët e nderit të Fondacionit Shqiptar të Fëmijëve “Domeniko Scaglione”. Loriku do të marrë pjesë edhe në një ndeshje humanitare të organizuar nga Fabio Çelestini, një ish-lojtar i Olimpikut të Marsejës, i cili aktualisht mbron ngjyrat e Getafes në Spanjës. Ndeshja e bamirësisë e “Fondacionit 4-4-2” do të luhet më 21 prill në Gjenevë të Zvicrës dhe mbështetet nga fondacioni i UNESCO-s të qytetit Getafe, një qytet i rrethinave të Madridit në Spanjë. Emrat që do të luajnë janë nga më të njohurit e futbollit botëror. Formacioni i Fabio Çelestinit do të drejtohet nga trajneri aktual i Realit të Madridit, Bernd Shuster dhe do të ketë në përbërje yje të tillë si Raul, Jordi Krujf (djali i Johan Krujfit), Mikael Laudrup, Stefan Shapuiza, Enco Françeskoli dhe Zinedin Zidan. Në skuadrën ku do të bëjë pjesë edhe Lorik Cana do të jenë ish-lojtarë të Olimpikut, por dhe ata aktualë: vellezërit Kantona, Zhan Pierr Papin, “Bolo” Zenden, Bazil Boli dhe të tjerë.
D. Frashëri
Topi bën “mesfushorin” për topin
Presidenti i topit shqiptar, Armand Duka, ankohet te Topi, Presidenti i Republikës, dhe rigjen buzëqeshjen po të kemi parasysh pamjen e ftohtë të tij, pas takimit të disa ditëve më parë kur doli nga zyra e ministrit të Sporteve, Ylli Pango.
Takimi Topi-Duka u zhvillua në Presidencë, ku bashkë me bosin e futbollit kuqezi ishin të pranishëm zëvendëspresidenti Bujar Kasmi dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Skënder Hyka.
Në takim u diskutuan edhe shkaqet që provokuan edhe pezullimin e dyfishtë ndërkombëtar të Shqipërisë nga FIFA dhe UEFA. Të enjten e kaluar, për herë të parë për një media shqiptare (Televizionin Top Channel), kreu i FIFA-s, Jozef Blater, i bëri thirrje shtetit shqiptar për të reflektuar dhe ndryshuar qëndrimin e tij ndaj ndërhyrjes së rëndë politike në futbollin vendas.
INTERESIM PERSONAL
Kreu i shtetit njihet nga të gjithë si një njeri tejet i pasionuar pas futbollit, madje para se të zgjidhej në postin më të lartë shtetëror ishte edhe president i klubit të futbollit “Tirana”, klubit me më shumë tituj kampion në Shqipëri. Madje, me fanellën ia dhuruan krerët e FSHF-së, numrin 10, presidenti merr rolin edhe një fantazisti apo mediatori. “Presidenti i Republikës e ka ndjekur me mjaft vëmendjen çështjen e pezullimit nga garat ndërkombëtare të Kombëtares tonë të futbollit jo vetëm për shkak të detyrimeve institucionale, por edhe për shkak të interesimit personal për sportin”, - thuhej në deklaratën e dalë nga zyra e tij.
RËNDËSI STANDARDEVE
Sipas komunikatës së publikuar në faqen zyrtare të Presidencës (president.al), presidenti Topi vuri në dukje nevojën për të diskutuar rreth mundësive për të dalë sa më shpejt nga kjo gjendje. “Për të mos i lënë gjërat pezull, por që ato të marrin vlerën e komunikimit zyrtar dhe t’i jepet rëndësi ligjit dhe standardeve ndërkombëtare, dhe i siguroi drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit se do të bëjë çdo përpjekje brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë institucionale dhe thelbësore”, - vazhdon deklarata zyrtare e dalë pas takimit dypalësh.
GARANCI PRESIDENCIALE
“Dua ta falënderoj Presidentin e Republikës që u takua me ne dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes së këtij problemi”, - theksoi për mediat presidenti i FSHF-së, Duka, menjëherë pas daljes së selia e Presidencës. “Në takimin e sotëm (djeshëm) ne diskutuam rreth çështjes së pezullimit të Shqipërisë nga FIFA dhe UEFA. Jemi munduar ta informojmë më në detaje presidentin e vendit”, - pohoi Duka. “Kemi marrë një garanci nga presidenti se ai do të përdorë gjithë autoritetin e tij për të kontribuar maksimalisht për të rikthyer Shqipërinë në FIFA”, - theksoi Duka. Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit i shprehën Topit nevojën dhe domosdoshmërinë për të gjetjen sa më shpejt të një zgjidhjeje, duke nënvizuar edhe gatishmërinë e tyre për të dialoguar e bashkëpunuar.
DETYRAT E FIFA-s
“Unë besoj se presidenti do të informohet akoma më tej rreth problemit dhe unë shpresoj se ai do të japë zgjidhjen e duhur. Sipas mendimit tim, mënyra e vetme për t’u kthyer në FIFA është që të zbatosh ato detyra që kanë lënë FIFA”. Shqipëria u pezullua nga FIFA më datë 14 mars dhe nga UEFA, më 20 mars, duke vuajtur edhe pasojat e para të pezullimit: anulimin e dy ndeshjeve miqësore të Kombëtares A (me Arabinë Saudite dhe Moldavinë) dhe një ndeshje zyrtare të Shpresave me Greqinë U-21, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian U-21.
D. F
“B. Topi 10”
Si dhuratë (tashmë një traditë), krerët e Federatës Shqiptare të Futbollit i dhuruan presidentit Topi një bluzë të Kombëtares me numrin 10, ashtu siç bënë edhe me kreun aktual të UEFA-s, Mishel Platini (atëherë jo president) gjatë inaugurimit të Kompleksit Stërvitor të Kamzës. Bashkë me bluzën edhe një top për Topin.
Deputeti Paturi: “Gjyqtarin e godita unë”
Njeriu i zgjedhur nga populli për ta përfaqësuar pranon se ka rrahur një arbitër. Deputeti i Partisë Republikane, Hajrulla Paturi, përfaqësues i zonës së Fushë-Krujës, pranoi publikisht se ishte ai që kishte rrahur gjyqtarin e ndeshjes Iliria-Albpetrol 0-0 (kategoria e dytë), Shkëlqim Guçe, për gjykim të njëanshëm. “I gjithë shkaktari i kësaj gjendjeje është gjyqtari dhe pasojat ishin të mëdha. E vërteta është se gjyqtarin e godita unë dhe nuk është goditur nga asnjë futbollist tjetër. Asnjë futbollist mik nuk është goditur. Jemi ndarë si miq në fund të ndeshjes”. Pamjet e dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit Shkëlqim Guçe janë të denja për të bërë xhiron e botës. 11 futbollistë që ndjekin arbitrin për ta rrahur nën thirrjet e tifozëve. Pamje që nuk do të donin kur koment, teksa grushtet dhe shkelmat e kanë bombarduar gjyqtarin nga Lushnja. Dhuna e futbollit injekton edhe deputetët e Kuvendit Popullor. Pas shkelmave dhe sharjeve të kryera nga deputeti i Partisë Demokratike për Peqinin, Dashnor Sula, ndaj një lojtari të Elbasanit, Karçev, dhe replikave me presidentin e Elbasanit, Arben Laze (gjatë dhe pas takimit Elbasani-Shkumbini për Kupën e Shqipërisë), një tjetër deputet implikohet në dhunën në fushën e blertë. Takimi u mbyll pesë minuta para kohe, ndërsa gjyqtari Guçe dhe ndihmësit e tij, Bejtja dhe Alla (që të tre nga Lushnja), u futën në dhomat e zhveshjes, ku u mbajtën aty për 10 minuta, në mbrojtjen e policisë lokale, që bënë edhe shoqërimin e tyre deri në dalje të qytetit.
1 Prill 2008