Çekia do ta njohë nesër pavarësinë e Kosovës
Çekia do ta njohë nesër pavarësinë e Kosovës. Ky lajm është konfirmuar nga e përditshmja çeke “Hospodarske Novine”. Sipas këtij burimi, kryeministri i Çekisë, Mirek Topolanek, synon të bindë ministrat e tij që në seancën e qeverisë, të parashikuar për ditën e nesërme, të votojnë për njohjen e pavarësisë së Kosovës edhe pse kryeministri dhe presidenti çek janë shprehur disa herë kundër pavarësisë së Kosovës. Shteti i ri është njohur nga shumë shtete përfshirë Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë. E përditshmja “International Herald Tribune” ka cituar ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Sllovenisë, Danimarkës, Finlandës dhe Belgjikës, të cilët mbrojnë qëndrimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës duke thënë se e ardhmja e saj dhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. “Në një situatë ku status quoja është e paqëndrueshme dhe ku marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit është e paarritshme, pavarësia e mbikëqyrur është garancia më e mirë për një të ardhme demokratike dhe shumëkombëshe për Kosovën”, - janë shprehur ministrat e gjashtë vendeve europiane.
Kermabon: “Në Kosovë do të bashkëpunojmë me SHPK–në”
Udhëheqësi i Misionit të Bashkimit Europian EULEX, Iv dë Kermabon, është pritur gjatë ditës së djeshme nga udhëheqësit e Shërbimit Policor të Kosovës. Kermabon u zotua për një bashkëpunim të mirë mes SHPK-së dhe anëtarëve të Misionit të EULEX-it në Kosovë, - thuhet në një komunikatë të SHPK-së. “Qëllimi i misionit të EULEX-it është që të vendosim një zbatim sa më të mirë të ligjit në Kosovë. Ne duhet të vendosim një bashkëpunim sa më të mirë së bashku duke vendosur marrëdhënie të mira mes anëtarëve të EULEX-it dhe pjesëtarëve të SHPK-së”, -theksoi Kermabon në këtë takim. Gjeneralnënkoloneli Sheremet Ahmeti, duke i uruar mirëseardhje shefit të misionit të ardhshëm në Kosovë, e siguroi atë se SHPK-ja do të vazhdojë në kryerjen e detyrave të tyre drejt përmbushjes së misionit dhe vizionit të saj. “Ne do të vazhdojmë me angazhimet tona në shërbim të qytetarëve të Kosovës, duke u zhvilluar në këtë mënyrë në bazë të parimeve demokratike, standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës”, - theksoi Ahmeti duke shpresuar një bashkëpunim me misionin e BE-së.
1 Prill 2008